AktualitetBota+Të fundit

Ekipet spanjolle shpëtojnë qindra refugjatë

Roja Bregdetare spanjolle ka shpëtuar më shumë se 930 refugjatë dhe ka nxjerrë trupat e katër viktimave gjatë të premtes dhe të shtunës në Detin Mesdhe, ndërkohë që Spanja përgatitet për mbërritjen e anijes së shpëtimit Aquarius, e cila është bërë epiqendra e debatit brenda Bashkimit Evropian lidhur me përgjigjen ndaj krizës së refugjatëve.

Roja Bregdetare tha se refugjatët u shpëtuan nga gomone të vogla pranë Ngushticës së Gjibraltarit ku u gjetën edhe trupat e katër viktimave.

Franca ka pranuar kërkesën e Spanjës që të akomodojë disa qindra refugjatë në bordin e Aquariusit, e cila po lundron drejt Spanjës pasi qeveria e re italiane dhe autoritetet malteze nuk e lejuan anijen të ankoronte në portet e tyre.

Agjencia spanjolle e shpëtimit tha se moti me mjegull dje kishte ndërlikuar operacionet për të gjetur tre anije të tjera në ujërat në jug të Spanjës.

Nëntë anije shpëtimi, një helikopter dhe një avion të agjencisë evropiane të kontrollit të kufijve, Frontex, ishin të përfshirë në operacion.

Refugjatë që përpiqen t’u shpëtojnë konflikteve dhe varfërisë ekstreme ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm drejt Evropës ku shpesh bien viktima të trafikantëve të paskrupullt që i braktisin në det të hapur ose i rrezikojnë duke përdorur mjete të papërshtatshme lundrimi.

Që nga fillimi i vitit 2018, mbi 35 mijë e 400 refugjatë kanë mbërritur në brigjet e Evropës. Prej tyre 11 mijë e 792 kanë mbërritur në Spanjë.

 

Fraksion.com