SportTë fundit

Argjentina tradhtohet nga Messi. Vetëm 1-1 me Islandën

Argjentina nuk shkoi dot më shumë sesa barazimi 1-1 ndaj Islandës. Leo Messi, mbi të cilin ishin përqendruar sytë e të gjithë tifozëve të futbollit, përveçse zhgënjeu me lojën e tij, humbi edhe një 11-metërsh në pjesën e dytë.

Nëse te Barcelona shkëlqen prej vitesh, Lionel Messi nuk po arrin të bëjë të njëjtën gjë te Argjentina, që nisi aventurën e saj në Kupën e Botës “Rusi 2018”, me një barazim ndaj Islandës.

Argjentina e nisi me mjaft entuziazëm takimin dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 19, me anë të sulmuesit Sergio Aguero, që pasi u shërbye në zonë nga Rojo, u rrotullua bukur dhe gjeti trekëndëshin e portës së kundërshtarëve.

Islanda reagoi menjëherë dhe arriti të rikthejë baraspeshën pas vetëm 4 minutash, pasi në të 23-tën ishte Finnbogason, që pas një rrëmuje në zonë, gjuajti dhe dërgoi topin në rrjetë.

Me barazimin 1-1 përfundoi pjesa e parë, ndërsa në 45-minutat e dyta Argjentina e shtoi presionin, në kërkim të golit të fitores. Rastin më të mirë e pati Lionel Messi, në minutën e 64-t, por ylli i Barcelonës humbi penalltinë përballë portierit islandez, Halldorsson.

Kapiteni i Argjentinës tentoi edhe në disa raste të tjera, që të gjejë golin, por nuk arriti të gjejë rrjetën e portës islandeze, duke bërë që sfida të përfundojë në barazim.

Argjentina zotëroi topin rreth 80% të kohës, por mbrojtja islandeze arriti të rezistonte deri në fund, duke marrë një pikë të vlefshme.

Argjentina dhe Islanda janë në grup së bashku me Kroacinë dhe Nigerinë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com