AktualitetBota+Të fundit

Trump fajëson demokratët për ndarjen e familjeve emigrante

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të fajësojë demokratët, kundërshtarët e tij politikë, lidhur me çështjen e ndarjes së fëmijëve nga prindërit, kur familjet kapen pasi kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin amerikan me Meksikën.

Për fëmijët duhet kujdes i menjëhershëm. Ishin demokratët ata që e imponuan këtë ligj“, tha për gazetarët të premten Presidenti Trump. “Unë e urrej të shoh ndarjen e prindërve me fëmijët e tyre“.

Republikanët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe nuk egziston ndonjë ligj që kërkon ndarjen e prindërve dhe fëmijëve. Përkundrazi, kjo është një politikë e krijuar nga administrata Trump. Në prill, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions njoftoi një politikë të quajtur “tolerancë zero” mbi kalimin e paligjshëm të kufirit për në Shtetet e Bashkuara.

Komentet e presidentit vijnë pas rrjedhjes në media të detajeve mbi të ashtuquajturin projekt-ligji i kompromisit mbi emigracionin.

Në projekt-ligjin e hartuar nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, thuhet se fëmijët që kalojnë kufirin me prindërit, mund t’u dorëzohen vetëm prindërve të tyre. Meqenëse të rriturit që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme akuzohen zakonisht për vepra penale, kjo do të thotë që e gjitha familja do të vendoset në një institucion paraburgimi.

Zoti Ryan tha të enjten se ai është kundër ndarjes së familjeve të emigrantëve pa dokumente në kufijtë amerikanë.

Ne besojmë se kjo çështje duhet të trajtohet në legjislacionin që lidhet me emigracionit“, tha zoti Ryan. “Ajo që po ndodh në kufi, ndarja e prindërve dhe fëmijëve të tyre është shkak i një vendimi gjyqësor. Mendoj se për këtë çështje ka nevojë për ligj“, tha ai.

Ligji siguron gjithashtu status ligjor për të rinjtë që janë sjellë në SHBA nga prindërit e tyre, në moshë të mitur. Shumë prej të rinjve janë përfitues të programit DACA, që u ka dhënë status ligjor dhe leje pune. Projekt-ligji do t’u mundësonte atyre qëndrimin pafundësisht, me rinovime të lejeve çdo gjashtë vjet.

Përveç kësaj, projekt-ligji përcakton një program të ri për të marrë shtetësinë, bazuar në meritat për përfituesit e DACA-s dhe të tjerë./VOA

 

Fraksion.com