AktualitetTë fundit

“Piramida 28”, porta e emigrantëve të paligjshëm drejt Shqipërisë

Muajt e fundit Shqipëria është kthyer në një nga korridoret kryesore të kalimit të emigrantëve nga vendet e treta.

Trendi në rritje i këtyre rasteve bëri që të përflitej edhe ngritja e një kampi refugjatësh në Shqipëri, por deri më tani autoritetet thonë se nuk kanë asnjë kërkesë nga Bashkimi Europian.

Nisur nga kjo situatë policia ka shtuar kontrollet në kufirin e gjelbër.

Kakavija është një nga pikat më të aksesueshme nga emigrantët për shkak edhe të afërsisë me Janinën. Emigrantët kryesisht me kombësi nga Siria, Afganistani, Libia dhe Pakistani afrohen deri pranë kufirit shqiptar me autobusët e linjës dhe më pas fshihen pranë rrjedhës së lumit që përshkon 2 vendet, duke pritur natën për të nisur ngjitjen e malit.

Në vendin e quajtur “Piramida 28 ”, pranë pikës së kalimit kufitar Kakavijë nga janari përllogaritet të kenë kaluar më shumë se 1500 emigrantë të paligjshëm, shkruan Top Channel.

Nga qëllimi i emigrantëve ka edhe persona që duan të përfitojnë. Nëse kalojnë kufirin dhe dalin në autostradë, ata priten nga persona që i ofrojnë transport deri në Shkodër, kundrejt shumave që variojnë nga 50 deri në 100 euro.

Pasi kanë përshkuar disa orë në këmbë dhe rreth 400 kilometra me mjetet e trafikantëve, emigrantët duhet të kalojnë një tjetër mal.

Gryka e Shegëve është pika fundore e udhëtimit të emigrantëve të paligjshëm në territorin shqiptar, pasi mbërrijnë këtu, ata kalojnë përmes kufirit të gjelbër në Malin e Zi.

Pasi dalin në Tuz, emigrantët vijojnë rrugën drejt Kroacisë , Sllovenisë dhe më pas synojnë një nga vendet e Bashkimit Europian./javanews

 

Fraksion.com