“Teatri”, Veliaj me artistët: Të negociojmë, zgjidhni një përfaqësi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim ditën e sotme me artistët sa i përket projektit të Teatrit Kombëtar.
Veliaj u shpreh se gjendja aktuale e Teatrit është e mjerueshme. Ai e krahasoi situatën me atë të Pazarit të Ri, duke thënë se atje kishte pasur edhe kërcënime me jetë, por tashmë thotë Veliaj janë të gjithë të kënaqur.
“Sa i përket vlerave arkitekturore, situata ku është sot Teatri Kombëtar, mos e ekzagjeroj që është siç gjetëm situatën te Pazari i Ri. Përtej vlerave historike, kjo ndërtesë nuk përmbush asnjë kushte për të qenë Teatër Kombëtar. Gjendja është me kushte të mjerueshme.
Në fillim u konceptua si një godinë e përkohshme, u ndërtua si një vend polifunksional. Akt kontrolli i bëri në 2014, pa qenë unë kryetar Bashkia, është konstatuar se situata është e rrezikshme në rast zjarri”, tha Veliaj.
Më tej, Veliaj u shpreh se te “Pazari i Ri” ka pasur kërcënime me jetë, por sot kanë ndryshuar mendim. “Atje kanë shkuar në 1000 biznese”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, iu drejtua artistëve duke u thënë të zgjedhin një përfaqësi që të negociojë më tej për projektin e Teatrit Kombëtar.
“Jemi të hapur për diskutim sa i përket gërshetimit të trashëgimisë me pjesët e reja të godinës. Nëse do jeni dakord të caktoni një përfaqësi, që bashkë me mua të jenë pjesë e këtij procesi. Të mblidhemi dhe të bëjmë negociata. Nëse nuk na pëlqen e lëmë kështu si është”, tha Veliaj.
Përfaqësuesi i aktorëve, Alert Çeloaliaj u shpreh: “Në ftesën që na është bërë nga ministrja gjithçka është në të kryerën, s’lë vend për diskutime”./TCH
Fraksion.com