Shteti e bën emrin
A e dinë politikanët tani se s’ka më “grekët e kanë fajin”?. Sfidat drejt të ardhmes tashmë do jenë të tjera. Pas hapjes së rrugës së integrimeve ku presupozohet se gjithçka është mbyllur me emrin, nëse politikanët dështojnë në ngritjen e një shteti evropian, hiç s’do të ketë rëndësi emri i ri, sepse njerëzit do vuajnë në mizerabilitetin e tyre dhe do ankohen për shtetin që nuk funksionon, jo emrin e tij. Ndërkohë nëse ka sukses në integrimet e plota, emri prapë s’do ketë rëndësi, sepse shteti i mirë e progresiv do t’i bëjë krenar e të lumtur të gjithë
Nga Nazim RASHIDI
Sa herë lind një fëmijë, gjithmonë diskutimi, pas vëmendjes për shëndetin e bebes dhe nënës, është emri. Çfarë emri do të ketë fëmija? Diskutohet të jetë i tillë, apo i atillë, me bazë shqiptare por modern, apo … por gjyshja ime gjithmonë thoshte “njeriu e bën emrin dhe jo emri njeriun”. Dhe mbase kjo analogji mund të ndiqet edhe me shtetet. Për shembull, a e dini emrin kushtetues të Britanisë? Në përshkrime të ndryshme shkruhet, Britania e Madhe, shkurtimisht UK nga United Kingdom. Në disa raste shtetit i referohet edhe si Britania e Madhe. Shpesh njerëzve u thuhet anglezë, skocezë,…
Por, si është emri i plotë?
– United Kingdom of Great Britain and Northern Ireland ose e përkthyer, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.
Po një emër i gjatë dhe që nuk përdoret shpesh në formë të tillë, megjithatë, është përcaktues i qartë dhe i saktë se çfarë përfaqëson Britania si shtet.
Megjithatë, si e njohim ne ketë shtet dhe si e njeh bota? A merret dikush me emërimin e saktë apo me arritjet, ndikimin që ka dhe atë çfarë përfaqëson?
Nëse i kthehem analogjisë së emrit të fëmijëve do të thoja që shtetin nuk e bën emri. Arritjet, vlerën dhe gjithçka tjetër ia japin njerëzit, institucionet dhe mirëqeverisja dhe kushtet e krijuara për jetë që sjell kreativitet e mirëqenie. Një shtet i tillë mbron çdo gjë pastaj dhe jo vetëm aq, por edhe përçon e përcjell gjithandej vlerat, kulturën, traditën dhe arritjet e njerëzve të tij.
Hiç s’ka rëndësi për britanikët se si do i quani, por ka rëndësi tua dini vlerat dhe traditat.
Si rrjedhojë si duhet parë emri i ri, “Republika e Maqedonisë së Veriut”, që po thuhet se do të zgjidhë mosmarrëveshjen mbi 25 vjeçare mes Athinës dhe Shkupit? Po përcjell tre reagime nga dita e djeshme historike për shumë vetë.
Nazim Rashidi
- Vetëm pak minuta para se të bëhej e ditur ora e saktë se kur Kryeministri Zoran Zaev do të dilte në konferencë për shtyp, marr një telefonatë nga një koleg maqedonas, me të cilin gjatë punës si gazetar me vite të tëra kishim debatuar për emrin. Zëri nga ana tjetër e celularit tha: “Tani mund të të them që është gati. U kry”. Biseda filloi, aty ku ishte lënë gjithë këto vite, pa ato “si je”, “ç’kemi”, por thjesht… “u mbyll çështja e emrit”, tha kolegu im.
E pyes, “si ndihesh?”… pak heshtje nga ana tjetër. Tani një sqarim. Kolegu në fjalë ka qenë kundërshtar i madh i ndryshimit të emrit. Me prejardhje nga maqedonasit e Greqisë, prindërit e të cilit flisnin greqisht, si edhe ai vetë, i rritur me një mllef të gjithë historisë së dëbimit, por dhe me tone e frymë nacionaliste sa i përket gjithë inateve që kanë sjellë ndër vite bisedimet për emrin. Shpesh ndihej dhe ndihet i poshtëruar për shkak se siç thotë, emri duhet të ndryshojë për kapriço koti të grekëve.
Prandaj heshtja, disa sekondëshe pas pyetjes time “si ndihesh?”, ka peshë të madhe.
Por përgjigjja ishte: “Nuk mund të mos e dua përparimin e Maqedonisë dhe s’mund të kundërshtoj këtë zgjidhje, edhe pse ti e di mendimin tim, se gjithçka bëhet, për shkak të insistimit të palogjikshëm grek”.
Me tej vijoi, “kur vë në peshë ku do shkojë shteti dhe çfarë mund të ndodhë me maqedonasit dhe vetë shtetin nëse nuk arrihet marrëveshje, s’ka se si mos ta pranoj këtë marrëveshje, por i lumtur nuk jam”.
Dhe gjithë kjo bisedë përshkruan mbase ndjesinë që mund ta kenë një numër i madh “agresivësh” të mbrojtjes së emrit kushtetues. Por, të vënë para alternativave them se është më e lehtë të tejkalosh momentin delikat të ndryshimit të emrit dhe të bëhesh si “anglez” duke vënë fokusin tek arritjet e shtetit i cili pastaj mund të promovojë dhe mbrojë ç’të dojë.
I thashë, ti e di që ka plot shtete me më shumë emra, apo ndryshe thirren vetë dhe ndryshe i thirrin të tjerët. Greqia vetë, i thashë. Ellas quhen grekët mes vete. Apo dhe ne shqiptarë… dhe biseda përfundoi sërish pa “mirupafshim”-t apo “çao”-t, por mbeti e lënë hapur, për të vijuar sërish pas ndonjë dite, siç edhe filloi.
- Pas kësaj bisede vijuan dhe shumë të tjera, apo dhe pyetje në rrjetet sociale nga të afërm të ndryshëm si: “Çdo të thotë emri i ri për shqiptarët tani?”
Dhe e vërteta është se emocionalisht shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë të lidhur me emrin Maqedoni. Sa më shumë kohë kalonte aq më shumë mirëkuptim kishte për emocionet e bashkëqytetarëve tanë maqedonas, por paralelisht me këtë nuk është se janë hedhur poshtë argumentet greke rreth antikitetit.
Pra, çdo të thotë tani për shqiptarët kjo situatë e re?
Mendoj që pranohet se dita historike, nuk ishte e tillë vetëm për shkak të arritjes së marrëveshjes, e cila ka ende rrugë për të bërë deri sa të marrë formë të zbatueshme në praktikë, por edhe për shkak se nuk ka ndodhur që Athina e Shkupi të jenë afruar kaq afër. Kryeministri Zaev është në një linjë me pikëpamjet e shumë shqiptarëve rreth antikitetit dhe i guximshëm në vendimet e marra, që pa diskutim janë delikate.
I gjithë shqetësimi tani është se si terminologjitë e reja do të përdoren duke mos prekur shqiptarët. Por nëse ndodh riemërimi i institucioneve nga për shembull, “Akademia maqedonase” në “Akademia e Republikës së Maqedonisë së Veriut” në fakt do të kapen dy peshq me një karrem. Sepse riemërimet e tilla do të krijojnë një element më gjithëpërfshirës, sidomos të shtetit dhe institucioneve të tij.
- Dhe gjithë sfida e shtetit dhe qeveritarëve pas këtij momenti ndryshimi të emrit, në fakt do jetë pikërisht tek shteti dhe institucionet, por jo sipërfaqësisht më, duke u marrë se si do të kenë emrin, por në thelbin e tyre se si funksionojnë.
Pas përfundimit të konferencës për shtyp të kryeministrit Zaev dhe gjithë kabinetit qeveritar që ishte në sfond, një pjesë e madhe e ministrave dhe korit diplomatik ishin në një ceremoni kur shënohej 25 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë dhe Francës.
Sigurisht, që dita historike ishte tema e bisedave me gjithë e pyetjet dhe dilemat e mundshme, se si do të materializohet ajo deri në fund, se çfarë mund të ndodhë e cilat janë rreziqet.
Por në gjithë këto biseda, mendoj se erdhi pyetja më thelbësore nga një diplomat: “a e dinë politikanët tani se përfundoi argumenti konstant për dështimet e tyre në ngritjen e shtetit siç duhet?” “A e dinë se s’ka më grekët e kanë fajin!”. Sfidat drejtë të ardhmes tashmë do jenë të tjera. Realisht nuk e di nëse politikanët e dinë ose jo, por nëse ndodh gjithçka siç u përshkrua, puna e tyre më e vështirë tek po vjen. Pas hapjes së rrugës së integrimeve ku presupozohet se gjithçka është mbyllur me emrin. Nëse politikanët dështojnë në ngritjen e një shteti evropian, hiç s’do të ketë rëndësi emri i ri, sepse njerëzit do vuajnë në mizerabilitetin e tyre dhe do ankohen për shtetin që nuk funksionon, jo emrin e tij. Ndërkohë nëse ka sukses në integrimet e plota, emri prapë s’do ketë rëndësi, sepse shteti i mirë e progresiv do t’i bëjë krenar e të lumtur të gjithë. Tani disi duket se ka një shans në një të ardhme njerëzit të ndihen “anglez”, edhe pse me një shtet me emër te ri. /koha.mk/ (Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)
Fraksion.com