Lista me noterë dhe vlerësues të pasurive të paluajtshme; Konkurrenca u kërkon bankave transparencë
Një vit më parë një studim për sektorin bankar në vend bëri që Autoriteti i Konkurrencës të dilte me një seri rekomandimesh për bankat e nivelit të dytë. Mes të tjerash ajo që kërkohej ishte që këto të fundit të vendosnin në dispozicion të klientëve të tyre një listë me noterë dhe vlerësues të pasurive të paluajtshme duke i zgjeruar kështu mundësinë e përzgjedhjes. Por një vit më pas Konkurrenca ka bërë një bilanc për të vlerësuar sesa janë marrë parasysh këto rekomandime.
Në një vendim të fundit të majit Autoriteti i Konkurrencës u ka kërkuar bankave që t’i vënë në dispozicion listën e noterëve dhe vlerësuesve si dhe numrin e procedurave të realizuar nga secili prej tyre gjatë vitit 2017 si dhe procedurën e përzgjedhjes së ofruesve të këtyre shërbimeve në vitin 2017. Për bankat të cilat nuk ofrojnë këtë informacion Konkurrenca ka nënvizuar se do të ketë masa administrative.
“Në rast të mos zbatimit të pikës 1 të dispozitivit të këtij vendimi, Komisioni në zbatim të nenit 73, pika 1, germa a) të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (të ndryshuar), do të vendosë gjobë deri në 1 % të xhiros totale te vitit paraardhës financiar për shkelje të lehtë të konkurrencës” thuhet në vendim./Monitor
Rekomandimet e bëra nga Autoriteti
Në mars të vitit 2017 Komisioni i Konkurrencës do të jepte përmes një vendimi disa rekomandime për Bankën e Shqipërisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe Bankat e nivelit të dytë. Të paktën tre ishin rekomandimet kryesore. Së pari bankat të t’i mundësonin klientit përzgjedhjen e vlerësuesit dhe të noterit në një listë të përzgjedhur të bankës, me qëllim rritjen e konkurrencës mes ofruesve të këtyre shërbimeve.
Së dyti nxitja e kartave lokale, që nuk kanë kosto të larta si kartat që emetohen nga skemat ndërkombëtare (MasterCard, apo Visa etj.,) që do të mundësonin më shumë përdorim dhe pranim të pagesave pasi kostot do të ishin më të ulëta për bankat rrjedhimisht edhe për klientët.
Së treti bankat të krijonin lehtësira për lëvizshmërinë e klientëve duke ulur kostot “bllokuese” (kostot të cilat e detyrojnë klientin të qëndrojë pranë një banke si komisione për mbyllje llogarie, kosto administrative për klientin si kohë, rimbushje formularësh, përgatitje dokumentacioni, përdorimi i teknologjive të reja për tu afruar më shumë lehtësi tek klientët) si dhe të rrisin transparencën duke i bërë më të kuptueshme këto kosto për klientin, përfshirë edhe skedën e amortizimit të kredisë, e cila duhet të jetë në gjuhën shqipe në të gjitha bankat dhe për të gjitha rastet.
Fraksion.com