Ekspertët amerikanë: Marrëveshja për emrin e Maqedonisë, një hap i madh përpara
Marrëveshja mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë është një zhvillim shumë pozitiv për rajonin e Ballkanit, u shprehën pjesëmarrësit në një diskutim për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins në Uashington. Sipas tyre marrëveshja hedh bazat e një bashkëpunimi të ri mes Athinës dhe Shkupit dhe do t’i hapë Maqedonisë rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Marrëveshja mes Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë është një lajm i mirë për mbarë rajonin, theksuan pjesëmarrësit në disktutimin për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins. Analisti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer i tha Zërit të Amerikës se shpreson se vullneti politik që ishte i nevojshëm për arritjen e marrëveshjes do të vazhdojë edhe gjatë procesit të miratimit dhe zbatimit të saj.
“Është një hap i madh përpara. Por ende ka disa pengesa, si miratimi i saj nga parlamentet e të dyja vendeve, referendumi në Maqedoni. Mendoj se i vetmi problem serioz është ndoshta miratimi i marrëveshjes nga parlamenti në Greqi. Gjërat ende mund të shkojnë në drejtim të gabuar, por ky është një moment i shumë i mirë”.