AktualitetEkonomiTë fundit

Takim rajonal mbi statistikat e bankave qendrore

Takimi rajonal në fushën e statistikave të bankave qendrore ka mbledhur në Tiranë ekspertë nga vende të ndryshme, për të diskutuar rreth statistikave dhe rolit të tyre në punën e institucioneve.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përfaqësues nga bankat qendrore të rajonit, si dhe përfaqësues nga Banka Qendrore e Turqisë.

Duke folur për rëndësinë e këtij takimi, Sejko tha se takime të tilla shërbejnë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi kërkesat statistikore.

“Seria e seminareve rajonale mbi statistikat e organizuar nga Banka Qendrore Evropiane siguron një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi kërkesat statistikore si dhe hartimin e politikave në lidhje me çështjet statistikore të bankingut qendror”, tha ai.

Sipas Sejkos, të dhënat e besueshme dhe të ofruara në kohë janë element i domosdoshëm për një vendimmarrje sa më të mirë. Duke folur për sfidat e funksionit statistikor, Sejko u shpreh se me zhvillimin e ekonomive, tregjeve dhe institucioneve rritet edhe presioni mbi statistikat për të ndjekur ritmin e këtij zhvillimi.

“Në terma të përgjithshëm kriza nxori në pah domosdoshmërinë që statistikat të jenë më efektive dhe t’i shërbejnë edhe politikës monetare dhe politikës makroprudenciale. Rritja e aktivitetit të sistemit financiar ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të këtij sistemi, si një element thelbësor i funksionimit të Bankave Qendrore. Analizat ekonomike dhe financiare të bankave qendrore po mbështeten tek modelet komplekse, të cilat mundësojnë analizën e njëkohshme të ekonomisë reale, tregjeve financiare dhe ndërlidhjeve me partnerët e huaj tregtar dhe financiar”, tha Sejko.

Gjatë viteve të fundit, vijoi më tej Sejko, Banka e Shqipërisë ka punuar për përmirësimin e informacionit statistikor. Që prej 2017 Shqipëria zbaton sistemin e përmirësuar të shpërndarjes së të dhënave të përgjithshme të FMN-së.

Sipas Sejkos, në kuadër të procesit të integrimit evropian, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar punën për afrimin e metodologjisë së statistikave me standarde ndërkombëtare.

Aktiviteti dy ditor organizohet nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane.

 

Fraksion.com