AktualitetLife StyleTë fundit

Luhet Drama e fundit e Teatrit Kombëtar

Shoqëria Civile dhe një grup artistësh kanë nisur një debat të shoqëruar edhe me protesta kundër prishjes së godinës të Teatrit Kombëtar.

Kulmi i deklaratave dhe akuzave ka arritur mbrëmjen e së martës ku përmes studiove televizive aktorë, analistë dhe grupe të tjera interesi kanë lëshuar deklarata të forta.

Madje, Mirush Kabashi paralajmëroi edhe nisjen e një greve urie, teksa të mërkurën kjo formë proteste u ‘zyrtarizua’ përmes një deklarate. Duke kundërshtuar projektligjin, artistët shprehen se do të uzurpojnë godinën. Por dje, Kabashi u shpreh se  pavarësisht një greve të mundshme, ai vetë dhe kolegu i tij Robert Ndrenika nuk besojnë se do të marrin pjesë për shkak të kushteve shëndetësore. “Konfliktualiteti i rrugës nuk i shkon artit. Ata kanë të drejtën të bëjnë këtë grevë, këtë hap të fundit. Është detyrim i tyre. Ështe arti që përfaqëson një komb” – tha Kabashi.

Drejtori aktual i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, e sulmoi aktorin durrsak përmes një statusi të ashpër në rrjetet sociale.

“Hahahaha! Zoteria “hani pini dhe rrembeni”, pasi “grabiti” per 15 vjet rrogen ne Teatrin Kombetar, ka filluar te recitoje patologjikisht mediave gjoja se i dhemb shpirti per godinen e Teatrit Kombetar. Ky individ qe morri rrogen 15 vjet dhe u ngjit ne skenen e TK-se vetem me nje shfaqje, eshte objekt per librin e rekordeve Gines. 100 milion leke (te vjetra) ka perfituar me statistike ne 15 vjet zoteria qe fuste karten ne bankomat pa u skuqur fare. Nese ndonje nga miqte me gjen diku ne Europe, Amerike, Australi ose ne Hene apo ne Mars nje “grabites” te tille, ju lutem miq te me beje me dije. Nderkohe individi “hani pini dhe rembeni” eshte edhe nje mashtrues ordiner. Me akuzon sonte tek emisioni i Eni Vasilit si censor te programit artistik te institucionit. Por kaq genjeshtar ordiner eshte saqe shembullin e shpik aty per aty, duke ju marre fjala si memec, dhe ja ve ne goje regjisorit Altin Basha. Tmerr!!! Genjen me zerin e tjetrit! Genjeshtari ordiner thote se une i kam kerkuar regjisorit Basha tekstin e vepres “Gomari i Babatasit” per ta kontrolluar perpara se te jepja lejen per tu shfaqur ne skenen e TK-se. Altin Basha dhe Rita Gjeka, amani, nese ju kam kerkuar tekstin ma thoni se une i shkreti se mbaj mend, po ma thoni aman, se mendja e shkrete ne keto kohe te turbullta nuk i dihet ne c’drejtim te paditur rreshket” – ishte statusi i Çulit kushtuar Mirush Kabashit.

Duket se nga radhët e qeverisë dhe institucioneve, vetëm Hervin Çuli ka ndërhyrë në debatin publik. Ndërsa takimet në kafe të kreut të PD-së me disa prej artistëve ka ngjallur hije dyshimi në media se aksioni për mbrojtjen e Teatrit ka edhe prapavijë politike.

Një natë më parë, aktori Robert Ndrenika bëri edhe një sulm politik. Në përgjigje ndaj një veprimi të Edi Ramës, Ndrenika tha se është tejet i fyer që nuk e lejuan të fliste gjatë një takimi.

“Jam ndjerë shumë i lënduar, atë që më ka bërë ai njeri s’ma ka bërë njeri deri më sot. Më turpëroi para të gjithë kolegëve të mi dhe të 100 vetëve që ishin aty. Kryeministrat venë e vijnë, jam i sigurtë që ky nuk është kryeministër i përjetshëm” – tha aktori i njohur.

Një tjetër zë i njohur i skenës, Bujar Asqeriu, ka qendruar në të njëjtën linëj me kolegët. Ditën e djeshme, Asqeriu tha se “çdo gjë mund të ndodhë” – referuar opsionit për grevë.

“Do të sensibilizojmë siç kemi sensibiluar deri më tani, institucionet ndërkombëtare në ruajtje të trashëgimisë kulturore. Instituti italian i Kulturës, i cili është i interesuar direkt për arkitekturën e qendrës së Tiranës, themi se do të jetë në krahun tonë, ose ndryshe meqë kryetari i Bashkisë dhe Kryeministri meqë kanë vendosur të rrafshojnë teatrin, të rrafshojnë edhe ato ministritë meqë janë të fashizmit dhe të shikojmë projektet e tyre se çfarë të ngrenë në vend të tyre. Unë nuk e di që turistët janë të magjepsur nga gradaçelat që do ngrenë këta. Unë them se turistët magjepsen nga çka qenë Tirana para 100 vitesh. Kulla dhe mermere kanë parë edhe në vendin e tyre. Ata duan të shohin origjinalitetin e këtij qyteti, që po zhduket, po zhduket” – deklaroi Asqeriu i cili më parë është përplasur edhe me drejtuesit e Ministrisë së Kulturës.

Tashmë që shembja e Teatrit Kombëtar është në dorën e shumicës parlamentare, artistët kundër këtij ligji kanë nisur t’i bëjnë thirrje deputetëve të PS që të mendojnë mirë para se të votojnë.

“Unë mendoj se edhe në mesin e deputetëve të PS ka njerëz më shpirt artisti, që nuk do të miratojnë shembjen e Teatrit” – tha Bujar Asqeriu./javanews

 

Fraksion.com