AktualitetEkonomiTë fundit

Koncesionari në Portin e Limjonit, taksë 0.06 euro/litri tek karburantet

Të kontaktuar nga “Monitor” aktorët kryesorë që operojnë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve thanë se ky është një precedent tërësisht shqiptar, pasi praktikat ndërkombëtare të menaxhimit të poteve janë të ndryshme. “Zakonisht në të tilla raste kompania që ka nën menaxhim portin vendos tarifë fikse për shërbimin ndaj klientit që ankoron jahtin apo kroçerën dhe këto shërbime fillojnë nga furnizimi me naftë, ujë, cigare, pije e kështu me radhë. Por kurrsesi nuk mund të ndërhyhet tek çmimi final i produktit. Vetëm kjo 0.06 euro është një rritje prej 8 lekësh në çmimin final të karburantit dhe kjo e heq nga harta Shqipërinë si mundësi për furnizimin me karburant të jahteve dhe kroçerave pasi do  të preferohen porte të tjera në Maltë, Itali apo Kroaci të cilët për nga cilësia ” tha përfaqësuesi i njërës prej kompanive kryesore në treg.

Sipas tij ka shumë pak kohë që Shqipëria është kthyer në një “stacion” për furnizimin me karburant dhe pika e saj e vetme që mund të sillte jahtet apo krocerat për furnizim ishte çmimi disi i lirë. Ndërkohe që cilësia e portit apo shërbimeve të tjera s’kanë të krahasuar me portet e tjera të Mesdheut. “Le të mos shkojmë tek portet e rajonit, mjaft të shohim portet e tjera të shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve në vend që të kuptojmë se niveli i tarifës që është vendosur është goxha i lartë. La Petrolifera në Vlorë kërkon për shkarkim dhe depozitim 30 ditë 7.5 euro për ton ndërkohë që Romano Port kërkon 4.5 euro ton në shkarkim. Në Portin e Limjonit për 1 ton kostoja shtesë është 72 euro” u shprehën përfaqësues të kompanive të tregtimit të karburaneve në vend.

Sasia e kontraktuar nga agjencitë turistike deri më tani për furnizimin me karburant të jahteve dhe kroçerave është 35 mijë ton çka përkthehet në një fitim prej më shumë se 2.5 milionë euro për kompaninë koncesionare.

Shkresa që njofton kompanitë e karburanteve për këtë tarifë është dërguar nga Homeport Albania një kompani e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 7 maj 2018 me objekt të saj shërbime portuale, furnizim karburantesh, menaxhim marine, shërbime furnizimi të përgjithshme për mjetet detare. Administratori i saj Fatos Demiri i kontaktuar nga “Monitor” për të marrë disa detaje më shumë u shpreh se kompania është thjesht e nënkontaktuar për menaxhimin.

Porti i Limjonit u dha me 1 euro, do investohen 3.8 milionë euro

Në fund të prillit 2018 me një vendim të veçantë qeveria i kaloi me qira portin e Limjonit në Sarandë kompanisë Concord Investment sh.p.k kundrejt vlerës simbolike prej 1 euro për 20 vjet. Referuar detajeve të dhëna në vendim saktësohet se sipërfaqja dhënë me qira është pjesë e ambienteve të Portit të Limjonit, Sarandë, me nr. pasurie 5/232, zona kadastrale 8641, me sipërfaqe të përgjithshme prej 5 370  m2. Të paktën 90 m2 janë sipërfaqe objekt dhe 5 280 m2 janë sipërfaqe funksionale, në përgjegjësi administrimi të Portit Detar, sh.a., Sarandë.

Në planin e saj të biznesit kompania koncesionare e ka parashikuar investimet në dy faza me një total prej 3.8 milionë euro.

Faza e parë e investimit përfshin pak më shumë se 58 mijë euro dhe do të realizohet brenda 20 muajsh nga data e fillimit çka korrespondon me fundin e vitit 2019. Kjo vlerë investimi do të konsistojë në vendosjen e 3 depozitave me kapacitet: 2000 tonë për furnizimin e mjeteve me naftë, 100 ton për furnizimin e mjeteve me benzinë dhe 200 tonë për ujë. Ndërtimi i rrugëve për kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve, blerje makineri e mjete të tjera, mobilimi i zyrave për fillimin e punës.

Në fazën e dytë është parashikuar pjesa më e madhe e investimit me një vlerë rreth 3.3 milionë euro. Punimet pritet të zgjasin 44 muaj dhe mbylla e tyre mendohet të jetë diku rreth fundit të vitit 2021. Kjo fazë konsiston në vënien e plotë në shfrytëzim të kantierit detar, me të gjithë infrastrukturën moderne përkatëse për pritjen e mjeteve detare, pasagjerë e mallra. Ndër të tjera punimet përfshijnë ndërtimin e kalatës së re, ndërtimi i kapanonit të kantierit, blerje e pjesës teknike (mjete shkarkuese), zhvillimi në gjatësi i rrugëve, krijimi i sipërfaqeve të gjelbëruara, parkimi të hapur, sistemi zjarrfikës, sistemi ndriçimi dhe sinjalizimi, ndërtimi i kullës së kontrollit ndërtimi i sipërfaqeve për shërbime civile, ndërtimi i ofiçinës së servisit.  Numri i të punësuarve parashikohet të jetë rreth 30 në dy faza.

 

Fraksion.com