Itali-Francë, mosmarrëveshje për çështjen e migrantëve
Autoritetet italiane thirrën sot ambasadorin francez si përgjigje ndaj komenteve të presidentit Emmanuel Macron i cili denoncoi qeverinë italiane për mospranimin e qindra migrantëve që ndodheshin në bordin e një anijeje shpëtimi.
Macron tha se bazuar në ligjin ndërkombëtar, Italia duhet t’i kishte pranuar migrantët, të cilët janë kryesisht nga Afrika nën-Sahariane.
Emigrantët, të cilëve iu mohua hyrja në Itali po shkojnë aktualisht drejt Spanjës, ku autoritetet po bëjnë përgatitjet për të pranuar 629 njerëz, mes tyre gra shtatzëna dhe shumë fëmijë.
Kritikat e Francës nxjerrin në pah tensionet brenda Bashkimit Europian mbi mënyrën e trajtimit të krizës së migracionit.
Ndërkohë po sot një anije e rojes bregdetare italiane me rreth 900 migrantë mbërriti në portin e Katanias në Siçili.
Migrantët mbërrijnë në brigjet italiane, në një kohë kur qeveria me politika anti-emigracionit, ende lejon një pjesë të tyre të kërkojnë azil.
Fraksion.com