Hierro: Nuk i thoja dot “JO” Spanjës
Fernando Hierro doli në një konferencë për shtyp pasditen e së mërkurës për të shpjeguar arsyet pse pranoi drejtimin e Spanjës pas shkarkimit të papritur të Julen Lopeteguit.
Ish-drejtori teknik i kombëtares spanjolle deklaroi se përpara vetes kishte 3 mundësi: të refuzonte detyrën, të largohej fare nga ekipi ose të ishte i pranishëm.
“Unë zgjodha të tretën sepse nuk mund të braktisja lojtarët dhe federatën. Nuk do t’ia falja vetes po të thoja jo. Nuk duhet të shohim pas se çfarë ndodhi. Duhet të mendojmë për Botërorin tani”, u shpreh Hierro.
Ish-kapiteni i Realit dhe Spanjës sqaroi se nuk do të bëjë ndryshime në skuadër: “Nuk mund të ndryshohet për dy ditë puna që është bërë në dy vite”.
Kur u pyet nëse ishte i drejtë vendimi për shkarkimin e Lopeteguit, Hierro u përgjigj: “Presidenti foli për këtë temë. Nuk ka vlerë mendimi i të tjerëve, duhet të kthejmë faqe. Nuk duhet të rrimë e të mendojmë vetëm tek një gjë, por të mendojmë për futbollistët. Nuk mund të flasim vetëm për një temë sepse do të na humbasë përqendrimi që duhet ta kemi te Portugalia”.
Fraksion.com