AktualitetRajoniTë fundit

Zaev dhe Tsipras, bisedë telefonike për emrin e Maqedonisë

Kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras pritet që brenda ditës së martë të bisedojnë me telefon për të rënë dakord përfundimisht lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë, të kontestuar nga Greqia fqinje për më shumë se dy dekada.

Dy kryeministrat kanë folur të hënën në mbrëmje me telefon, ndërsa media në Athinë thekson se tashmë është arritur një marrëveshje për problemin e emrit, ndërsa pritet zyrtarizimi i saj. Sipas medias greke, referenca “Republika e Maqedonisë Veriore” do të jetë në përdorim të brendshëm dhe të jashtëm për republikën ish-jugosllave. Marrëveshja do të nënshkruhej këtë fundjavë në Prespë, në anën greke, sipas shtypit.

Në lidhje me çështjen e identitetit të popullit maqedonas, thuhet se dy qeveritë kanë rënë dakord për termin “shtetas maqedonas” dhe “gjuha maqedonase”; në pasaportë do të shkruhej “shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore”. Po ashtu, Shkupi do të bëjë ndryshime në kushtetutën e vendit, duke e hequr referencën “për mbrojtjen e pakicave maqedonase jashta kufijve të shtetit”.

Kryeministri Zaev ka paralajmëruar se çdo marrëveshje që do të arrihej midis dy palëve do të nxirrej në referendum popullor në Maqedoni. Para kësaj, marrëveshja do të ratifikohej nga parlamenti, me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.

Nga ana tjetër, presidenti Gjorgje Ivanov ka lënë të kuptohet se ka pakënaqsi në lidhje me procesin e negociatave dhe se ai është anashkaluar, duke qenë i painformuar nga qeveria për rrjedhën. Në rast se ai nuk e dekreton vendimin eventual të parlamentit, atëherë ligjvënësit do të duhej ta miratonin atë për të dytën herë.

Autoritetet në Shkup shpresojnë se me zgjidhjen e shpejtë të problemit, Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO dhe do të hapen bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 

Fraksion.com