Trump, Kim shtrënguan duart; Takimi në Singapor
Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un shtrënguan duart të martën në mëngjes në një hotel të Singaporit, para se të fillonin bisedimet rreth çnuklearizimit të mundshëm të gadishullit Korean.
Nën shkrepjet e dhjetëra kamerave, dy udhëheqësit u takuan përpara një sfondi me flamurë amerikanë dhe koreanoveriorë në një ngjarje të pashembullt – takimi i parë i një presidenti aktual amerikan dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.
Ndërsa fillonte takimi i nivelit të lartë, Presidenti Trump parashikoi se ai do të kishte një “marrëdhënie të shkëlqyer” me udhëheqësin Kim Jong Un, i cili tha nga ana e tij se ai dhe Trump “kishin ardhur aty pas tejkalimit të të gjitha pengesave”.
Autokolona e Trump arriti e para në Hotel Capella në ishullin turistik Sentosa të Singaporit. Autokolona e Kim Jong Unit arriti disa minuta më vonë.
Fillimisht, bisedimet u zhvilluan kokë më kokë me praninë vetëm të përkthyesve.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se çdo marrëveshje që mund të arrihet duhet të ketë si rezultat dhënien fund të kërcënimit që përbëjnë armët bërthamore dhe raketat balistike të Koresë së Veriut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të hënën në Singapor se nuk do të ketë një përsëritje të “marrëveshjeve të paqendrueshme” të arritura mes administratave të mëparshme amerikane dhe Koresë së Veriut.
Pas takimit vetëm për vetëm, dy udhëheqësit hynë në një takim dy-palësh më të zgjeruar, me praninë edhe të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, Shefit të Personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly dhe Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare John Bolton.
Para këtij takimi, ata bënë deklarata për mediat:
TRUMP: “Z. Kim, është një nder i madh të jem me ju këtu dhe unë e di se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm së bashku; ne do të zgjidhim problemin tonë të madh, dilemën tonë të madhe, që deri në këtë moment nuk ka qenë e mundur të zgjidhet. Duke punuar së bashku, ne do ta zgjidhim atë. Është një nder i madh. Faleminderit shumë.”
KIM: “Do të ketë sfida përpara, por ne do të punojmë me Trumpin. Kemi mposhtur të gjitha llojet e skepticizmit dhe spekulimeve për këtë samit dhe besoj se kjo është diçka e mirë për paqen”.
KIM: “Ne tejkaluam me guxim të kaluarën, e cila na mbante mbrapa dhe u ulëm bashkë; mendoj se ky është një prelud i paqes”.
TRUMP: “Ne do ta zgjidhim, do të jemi të suksesshëm dhe mezi pres që të punoj me ju. Do të bëhet; ju faleminderit shumë”.
Në program është një konferencë shtypi e Presidentit Trump, i cili largohet nga Singapori mbrëmjen e së martës me orën lokale, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Dje, Presidenti Trump foli në telefon me Presidentin koreanojugor Moon Jae-in i cili, sipas zyrtarëve të Seulit, u shpreh se nëse takimi i së martës do të përfundonte me sukses, kjo do ishte një dhuratë për të gjithë botën.
Për të ndjekur takimin historik, në Singapor ndodhen rreth 5,000 gazetarë, por vetëm një grup i vogël reporterësh amerikanë dhe koreanoveriorë u lejuan të ndjekin momentin kur të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin.