AktualitetEkonomiTë fundit

Ndarja e OSHEE, operatori transferon licencat tek kompanitë e reja, ERE hap procedurën

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), që nisi këtë prill procesin e ndarjes, duke krijuar tre kompani të reja nën vete, ka hedhur tashmë një hap tjetër lidhur me transferimin e licencave për secilin prej tyre.

Deri më tani, të gjitha licencat që sanksionojnë detyrat apo shërbimet, ishin të qendërzuara vetëm tek OSHEE. Enti Rregullator i Energjisë, pas kërkesës së bërë nga kompania publike, ka hapur procedurën që të transferojë licencën nga OSHEE tek Furnizuesi i Tregut të Lirë sh.a për veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike.

Referuar vendimit ERE bën të ditur se aplikimi plotëson pjesërisht kërkesat parashikuara në “Rregulloren për procedurat dhe afatet për dhënie, modifikim, transferim, rinovim ose heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike” ndaj për finalizimin e procesit duhet që të plotësojë edhe një pjesë të mbetur të dokumentacionit.

Kjo shtesë kërkohet për strukturën e ndërtimit dhe funksionimit administrativ të shoqërisë, si dhe sasinë e energjisë që parashikohet për t’u tregtuar.

Kompania e dytë që do të marrë një licencë të transferuar nga OSHEE është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes  apo O.S.SH sh.a. Ashtu si në rastin e Furnizuesit, edhe për këtë aplikim ERE ka vendosur të hapë procedurën e licencimit, por ka kërkuar dokumentacion shtesë.

Licencimi i kompanive të reja të OSHEE nga ana e ERE-s bën të mundur që ato të fillojnë të funksionojnë më vete secila me objektin që kanë të përcaktuar. Procesi i ndarjes së shpërndarjes parashikohet në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike” dhe është një nga pikat e rëndësishme për të cilin ka këmbëngulur vazhdimisht edhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Kjo praktikë synon që të rrisë eficencën dhe mirëmenaxhimin e kompanisë publike.

Kompanitë e reja

Janë të paktën tre kompani të reja të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit të lidhura me sistemin e shpërndarjes. I pari është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, shoqëri aksionare me një kapital 3.5 milionë lekë. Administrator i kompanisë është emëruar Marlond Druga. Në objekt të kompanisë është shpërndarja e energjisë elektrike, ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike për sigurimin e energjisë elektrike klientëve, lidhjen e klientëve dhe përdoruesve të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, instalimin dhe shërbimet e matjes së energjisë elektrike etj, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë.

Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë me një kapital 3.5 milionë lekë dhe me administratore Erina Rexhepi. Shoqëria do të ketë në objekt të saj blerjen dhe menaxhimin e energjisë dhe operimin në tregun e lirë, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë. Për më tepër, shoqëria mund të kryejë çdo aktivitetet tjetër, i cili nuk është i ndaluar nga ligji në fuqi.

Shoqëria e tretë është Furnizuesi i Shërbimit Universal me kapital 3.5 milionë lekë. Administrator i është emëruar Florenc Rama. Kompania ka në objekt të saj furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në treg të rregulluar të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, ofrimin dhe sigurimin e cilësisë tregtare të shërbimit, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë.

Vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike qëndron si një shoqëri aksionare me vete me një vlerë kapitali prej 30 miliardë lekësh dhe me administrator Adrian Çelën./Monitor

 

Fraksion.com