Balla takon përfaqësuesit e Partisë Komuniste: Kina të njohë Kosovën
Çështja e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga Republika e Kinës ka qenë në fokus të një takimi mes Sekretarit të Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe delegacionit të Partisë Komuniste Kineze, të kryesuar nga znj. Shen Beili, Zëvendësministre në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.
Balla i kërkoi përfaqësueses së lartë të Partisë Komuniste kineze që Kina të mbështesë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si një proces që shkon në dobi edhe të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Deputeti Balla theksoi se për Partinë Socialiste është i rëndësishëm forcimi i dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: në atë qeveritar, parlamentar, ekonomik, akademik, kulturor dhe në të gjitha fushat me interes reciprok.
Po ashtu është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi edhe në nivel organizatash ndërkombëtare ku të dy vendet janë anëtare.
Palët u ndalën gjatë diskutimit të tyre në çështje konkrete të bashkëpunimit ekonomik, siç është edhe nisma 16+1.
” Për Partinë Socialiste kjo nismë është një instrument i rëndësishëm dhe një platformë e rëndësishme bashkëpunimi ekonomik, komunikimi dhe mirëkuptimi kulturor që do të përforcojë më tej marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Kinës, por edhe ato multilaterale mes vendeve të 16+1. Qendra për Rininë në kuadër të nismës 16+1 duhet të vendoset në Tiranë”, tha Balla.
Më tej ai shtoi se tregu kinez duhet të jetë i hapur për prodhimet bujqësore shqiptare dhe ne kërkojmë ndërhyrjen partisë tuaj për eliminimin e barrierave dhe njohjen e certifikatave fito-sanitare.
Balla gjeti mbështetjen e plotë të Zëvendësministres së Jashtme, Shen Beili, Zëvendësministre e Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës në konkretizimin e kësaj nisme.
Një tjetër projekt që u diskutua ishte edhe ai “Një Brez dhe Një Rrugë”, ku Balla theksoi se Shqipëria e ka konsideruar si një mekanizëm shtesë për të nxitur zhvillimin e koordinuar dhe progresin e përbashkët në planin shumëpalësh, por edhe bilateral në aspektet ekonomike, shoqërore, mjedisore, si dhe për të inkurajuar dialogun dhe integrimin ndërmjet civilizimeve të ndryshme.
Kjo nisëm shikohet si një mundësi më shumë për të aplikuar dhe tërhequr investime për projekte në energji dhe infrastrukturën rrugore, detare dhe hekurudhore.
Në përfundim të takimit palët ranë dakord për fillimin e një komunikimi intensiv dypalësh, i cili do të konkretizohet në një Memorandum Bashkëpunimi midis Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Kinës./oranews.tv
Fraksion.com