AKU kundër ministrit për helmet
Një ditë pasi Ministria e Bujqësisë sqaroi se kimikati “Silikon miks” nuk është pesticid por pleh, Top Channel siguron dokumentet e një inspektim që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës ka bërë në muajin tetor të 2017 e më pas e bllokoi shitjen e një sasie prej 4600 litra të këtij kimikati.
“Silicon Mix i pasqyruar me etiketën EC Fertilizer, nuk përfshihet në listën e plehrave “EC Fertilizer” sepse bën pjesë në listën e plehrave të miratuara nga BE-ja sipas shtojcës nr 1 të VKM nr.774 të 2012. Pasi nuk përmbushen të gjitha kërkesat për etiketimin sipas dispozitave të ligjit 10390 të 2011”, shkruhet në dokument.
Urdhëri i ministrit Peleshi për të mos penguar shitjen e këtij kimikati ka ardhur pas këtij vendimi të AKU, e cila edhe sot e mbron këtë qëndrim. Ndërkohë, ish-inspektori i AKU Arben Shytja tregon të tjera fakte.
“Unë kam këtu një shkresë të drejtorit të përgjithshëm të AKU-së që mban datën 22/05/2018 ku thotë që: në bazë të procedurave që ka bërë drejtoria rajonale AKU Durrës Silicon Mix nuk është pleh, pasi nuk përmbush kërkesat për ligjin e plehrave në bazë të VKM-së përkatëse. Si i tillë është penalizuar me masën 60 mije lek dhe është bërë bllokimi i kësaj sasie. Tani në këtë situatë kontraditore të institucioneve dikush duhet t’i japi zgjidhje se çfarë përmban ky Silicon Mix që përdoret si insekticid?”, thotë Arben Shytaj, ish-Inspektor i AKU-së.
Inspektori i AKU u largua nga detyra dhe tani është në një proces ligjor me AKU e cila vetëm tre jave më parë në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, mbështet idenë se “Silikon Mix” nuk është pleh. Top Channel faktoi me zë dhe figure që ky kimikat i paregjistruar në listën e kimikateve që përdoren kundër insekteve, përdoret si i tillë nga fermerët./TCH
Fraksion.com