AktualitetBota+Të fundit

Spanja ofron të lejojë anijen me migrantë të ankorohet

Spanja ka rënë dakord që të pranojë një anije me mbi 600 migrantë, pasi Italia dhe Malta refuzuan të pranojnë që ajo të ankorohej në brigjet e tyre, por fati i anijes mbetet ende i pasigurt. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, që e mori detyrën vetëm një javë më parë, instruktoi anijen të ankorohej në portin lindor të Valencias, sipas një deklarate nga zyra e tij, por një menaxher operacionesh i organizatës bamirëse që ka siguruar anijen thotë se shkuarja në Spanjë do të ishte një sfidë madhore teknike. Deri të hënën, anija po endej në ujra ndërkombëtare.

Antoine Laurent i organizatës SOS Mediterranee tha të hënën se do të duheshin të paktën dy ditë të tjera që anija të arrinte në Spanjë dhe se sot për sot kjo “nuk është e mundur me 629 vetë në bord”. Ai tha se anijes Aquarius, do t’i duhej të furnizohej në det të hapur, gjë që ai tha se nuk do të ishte e lehtë të organizohej. Ai i bëri thirrje Italisë ta rishqyrtojë vendimin.

Ministri i ri i brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, kreu i partisë të së djathtës së skajshme, Lega që bëri fushatë me premtimin për të ndalur fluksin masiv nga Afrika, e kishte bllokuar gjatë fundjavës anijen që operohej nga SOS Mediterranee dhe Mjekët Pa Kufi.

Mes 629 migrantë në bord, janë 123 të mitur të pashoqëruar, 11 fëmijë të tjerë dhe shtatë gra shtatzëna.

Organizata bamirëse SOS Mediterranee tha se migrantët kishin ushqime të mjaftueshme për të paktën një ditë tjetër. Pas lajmeve se Spanja kishte marrë iniciativën t’i pranonte imigrantët, zëdhënësi i UNHCR-së, tha se ky është një zhvillim pozitiv dhe një shfaqje e admirueshme solidariteti nga Spanja për refugjatët.

“Kur kemi një gjendje të tillë ku, rezervat e ushqimeve po zvogëloheshin, kjo do të thoshte se ndërsa vazhdonin diskutimet se ku do të ankorohej anija, shanset e mbijetesës së këtyre njerëzve, po bëheshin gjithnjë e më të vogla. Detyrimi humanitar duhet të ketë gjithmonë përparësi. Diskutimet politike se kush ka përgjegjësi për rajone të caktuara dhe në ç’kontekst, duhet të vijnë më vonë”.

Koordinatori i Mjekëve pa Kufi, Aloys Vimard kishte përshkruar më parë kushtet e migrantëve.

“Njerëzit po flenë në kuvertë. Nuk është aspak e rehatshme. Ata janë të dobët, të lodhur, të raskapitur. Prandaj do të donim të kishin një vend për të pushuar ku të ndjeheshin të respektuar”.

Zoti Salvini kishte thënë se Italia nuk duhet të jetë i vetmi vend që të pranojë anijet nga Afrika e Veriut, duke nxitur Maltën që është më pranë Libisë që të lejonte anijen të ankorohej.

Por Malta, një vend ishull me gjysmë milioni banorë thotë se merr më shumë refugjatë per capita sesa Italia, një partner i BE-së. Italia ka pranuar mbi 600 mijë migrantë që kanë ardhur me barka që nga viti 2014.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas kishte thënë në një konferencë për shtyp se komisioni u kishte kërkuar dy anëtarëve të Bashkimit Evropian që t’u japin migrantëve “kujdesin që u duhet”, duke e quajtur “një detyrim humanitar”./VOA

 

Fraksion.com