AktualitetEkonomiTë fundit

Shqiptarët ikin, por emigrantët po sjellin sërish më shumë para në Shqipëri, rriten me 9% në muajt e parë 2018

Shqiptarët që punojnë jashtë vendit po sjellin sërish më shumë para për të afërmit e tyre. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në tre muajt e parë të vitit, emigrantët kanë dërguar në shtëpi 147 milionë euro, me një rritje prej 9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Ky është niveli më i lartë i dërgesave që nga tremujori i parë 2013, ndërsa ritmet e zgjerimit janë përshpejtuar në muajt e parë të këtij viti shkruan Monitor.

Teksa remitancat kanë qenë një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës që pas viteve ‘90, duke financuar kryesisht konsumin e familjeve të varfra, pas 2008-s ato hynë në një cikël rënës, duke reflektuar dobësimin e lidhjeve me familjet në Shqipëri, që normalisht fillon e ndodh pas një periudhë 10-15-vjeçare (emigrantët krijojnë familjet e tyre dhe dërgojnë më pak para tek të afërmit në Shqipëri). Kriza e shteteve fqinjë, sidomos në Greqi, ishte një tjetër faktor që ndikoi në këtë tendencë.

Por, pas vitit 2013 u konstatua që cikli filloi t’i kthehej sërish rritjes. Përveç rimëkëmbjes së fqinjëve, rigjallërimi i emigracionit ishte një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas ekspertëve. Në vitin 2015 u shënua një rekord i kërkesave për azil në BE, me mbi 66 mijë persona, për t’u përgjysmuar më pas në vitet në vijim. Në total, nga 2013-2017 ka pasur mbi 140 mijë aplikime për azilant në vendet e BE-së, sipas të dhënave që janë bërë publike nga Eurostat. Një pjesë e madhe e tyre arritën të qëndronin, duke filluar gradualisht punë dhe duke dërguar para në shtëpi. Vlerësohet se ata duan një periudhë rreth 2-vjeçare për t’u integruar dhe për të filluar një punë dhe më pas fillojnë e ndihmojnë të afërmit, sipas Monitor.

Të dhënat e INSTAT, publikuar pak kohë më parë, tregojnë se në shtatë vitet e fundit (2011-2017), nga Shqipëria janë larguar në total rreth 330 mijë persona, si emigrantë. Që nga viti 2011 vihet re që ka pasur rritje të shqiptarëve që braktisin vendin. Në atë vit u shënua dhe numri më i lartë i të ikurve, me rreth 52 mijë. Pasi është zvogëluar gradualisht në vite, një valë e re emigracioni u shënua sërish në 2017, në rreth 40 mijë persona të ikur.

Ndërsa ka shumë persona që kthehen, numri i atyre që ikin mbetet gjithnjë më i lartë dhe diferenca është negative. Në 2017-n, në një zhvillim negativ, pasi migracioni neto është përkeqësuar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, numri  i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona. Një vit më parë, diferenca ishte shumë më e ulët, më pak se 10 mijë persona. Kjo tregon se më shumë po ikin dhe më pak po kthehen.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Fraksion.com