Kush e ruan hapësirën ajrore të Serbisë dhe rajonit?
Kroacia dhe Serbia kanë forcat e veta ajrore, ndërsa Mali i Zi është futur nën ombrellën e NATO-s. Po ku është Bosnjë-Hercegovina dhe cila është perspektiva e rajonit?
Disa analistë thonë se ish-Jugosllavia, (RSFJ) ka pasur forcat më të fuqishme të armatosura ajrore në rajon – Armata Popullore e Jugosllavisë renditej e katërta në Evropë. Aviacioni ushtarak ka pasur 400 avionë, ndër të cilët edhe 98 MiG-21 dhe 16 MiG-29. Por me shpërbërjen e shtetit, janë shkatërruar edhe forcat e armatosura. Një pjesë e madhe e avioacionit ushtarak është shkatërruar gjatë luftërave në Bosnje, Kroaci dhe ndërhyrjes së NATO-së në vitin 1999.
Që nga data 5. 06. 2018 hapërsirën ajrore e mbrojnë avionët e NATO-s (Italisë dhe Greqisë) dhe me këtë hap është përmbyllur sistemi mbrojtës malazez në kuadër të aleancës veriatlantike. Kroacia është po ashtu anëtare e NATO-s. Ajo ka avionë të vjetëruar MiG-21, por së shpejti do të ketë avionë izraelitë F-16 Barak. Serbia është furnizuar nga Rusia me avionë MiG-29, të një prodhimi më të vjetër, por të cilët teorikisht mund t’u kundërvihen disa avionëve perëndimorë.
Forcat e armatosura të Bosnje-Hercegovinës kanë kapacitete më modeste, sepse ky vend ka vetëm disa helikopterrë të vjetër dhe probleme të mëdha për mirëmbajtje. Për avionë modernë Bosnjë-Hercegovina nuk ka para.
Bosnjë-Hercegovina pa avionë luftarakë
Analisti ushtarak Nexhad Ahatoviq thotë, se blerja eventuale e avionëve varet nga përcaktimi i Bosnjë-Hercegovinës që të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në kushtet normale, forcat e armatosura të këtij vendi do të duheshin të pajiseshin në dy faza. Së pari, Bosnjë-Hercegovina do të duhej të blinte avionë Super Tucano, për shkak të kostove të ulëta. Ndërsa në fazën e dytë pas futjes në NATO ky vend do të mund të mendonte për avionë të cilësisë së lartë, thotë Ahatoviq.
Ndërsa analisti nga Zagrebi, Igor Tabak thotë, se fuqia e forcave të armatosura varet nga mundësia financiare. Në Kroaci kemi një shumë relativisht modeste të parave që ndahen për mbrojtje dhe për mirëmbajtjen e avonëve disa dekada të vjetër. Kroacia e cila aktualisht ka avionë të vjetër izraelitë së shpejti do të detyrohet ta trajtojë këtë çështje sërish, sepse duhet të jetë pjesë e mbrojtjes së hapsirës ajrore të BE-së, thotë Tabak.
Kroacia para sfidave të reja
Në dallim nga Serbia, e cila po e forcon flotën e avionëve MIG-29, Kroacia është futur në një fazë tjetër të ndryshimeve logjistike dhe teknike. “Kroacia i ka zëvendësuar MIG-21 me avionë F-16, të cilët janë përdorur dikur në Izrael”. Analisti nga Beogradi Andrej Mlakar pranon, se Serbia nuk mund të përballet me NATO-n, veçanërisht jo kur bëhet fjalë për avionë. Por ajo ka vendosur që të ruajë kapacitetet e veta dhe të mos paguajë të tjerët për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.
„Kjo rrugë e Serbisë ka nisur me blerjen e gjashtë MiG-29 nga Rusia vitin e kaluar si dhe aftësimin e katër avionëve që ka pasur. Kështu është krijuar një flotë e avionëve për ruajtjen e hapësirës ajrore, me detyrë ‘air policing’. Në fakt, Sebia ka blerë kohë sepse më së largu pas 10 vitesh do të detyrohet të blejë avionë të tjerë”, mendon Mlakar.
Kush po shkon në Lindje e kush në Perëndim?
Në ç’drejtim do të shkojnë vendet “neutrale” ballkanike, varet nga përcaktimi i tyre strategjik dhe raportet ndërkombëtare. Mlakar mendon, se pozita aktuale “neutrale” e Serbisë nuk do të mund të qëndrojë për një kohë të gjatë. “Nuk mund të kesh bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe Partneritetin për Paqë dhe njëkohësisht të bësh manovra me Rusinë, e në fund të flasësh se je neutral. Raportet Rusi-NATO janë të tensionuara. Nëse jemi neutral, atëherë duhet t’u shmangemi manovrave me Rusinë dhe programeve të bashkëpunimit me NATO-n. Por këtu kemi të bëjmë me një politikë të ngjashme si ajo e Jugosllavisë kur thuhet se jemi neutral dhe të pavarur”, pohon Mlakar.
Analistët janë të mendimit se siguria në Ballkan varet edhe nga raportet Rusi-NATO. Nexhad Ahatoviq pohon, se do të ishte mirë sikur disa faktorë në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë të kuptojnë se jo edhe shumë gjatë do të mund të bllokohet zgjerimi i NATO-s në Ballkan. „Bllokimi i influencës ruse në këtë pjesë të Evropës është një interes strategjik për Perëndimin dhe aleancën ushtarake. Ndarje të tjera dhe kufinj të ri në Ballkan nuk do të ketë, ndërsa është e domosdoshme njohja e shtetit të pavarur të Kosovës dhe normalizimi i sistemit politik të Bosnjë-Hercegovinës. Rruga e vetme logjike e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës është anëtarësimi i plotë në BE dhe NATO, që do të përcaktonte edhe strukturën dhe sistemin e tyre të mbrojtjes”, thotë Ahatoviq.