AktualitetKosovaTë fundit

Kosova aplikon për anëtarësim me të drejta të plota në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë

Kuvendi i Kosovës ka aplikuar për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, pasi që nga viti 2014 është anëtare e saj vetëm në cilësinë e vëzhguesit.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas një takimi që ka zhvilluar sot në hapësirat e Kuvendit me sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal, raporton Ekonomia Online.

Kryeparlamentari Veseli tha se ky është lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën, sepse po ecë përpara në rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Veseli shtoi se është e rëndësishme që shteti i Francës po e mbështetë Kosovën edhe në procesin e integrimit evropian.

“Asambleja është një nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare. Kosova shumë shpejt do të jetë pjesë me anëtarësi të plotë në këtë organizatë. Është shumë me rëndësi për Kosovën, sepse po ecë përpara në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Është lajm i jashtëzakonshëm. Kryesore ështe se në po marrim përkrahje të vazhdushme, Franca po e përkrah Kosovën drejt integrimit evropian”.

Veseli ka bërë të ditur se në kuadër të lobimit për heqjen e vizave për Kosovës, sot do të udhëtojë për në Strasburg, ndërsa nesër në Paris, e pastaj edhe në Gjermani e Holandë.

“Sot do të udhëtojë për Strasburg, pas dy dite në Paris për të sensibilizuar përkrahjen për liberalizimin e vizave. Do të vazhdojmë pastaj në Holandë dhe Berlin. E falënderoj sekretarin për përkrahjen, me përkrahjen e këtyre njerëzve po arrijmë të organizohemi në organizata ndërkombëtare. Do të jemi bashkë në të gjitha proceset”, shtoi Veseli.

Sektretari Krabal tha se dosja është kompletuar dhe vendimi për anëtarësim më të drejta të plota do të merret së shpejti.

“Kosova ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Asamblenë Parlametare të Frankofonisë. Dosja është e kompletuar, vendimi do të merret së shpejti. Shpejt Kosova do të jetë anëtare me të drejta të plota. Dosja për t’u anëtarësuar bazohet në kritere gjuhësore. Kosova ka bërë arritje sa i përket gjuhës frënge”.

Krabal shtoi se në hapësirën frankofone objektiv është gjuha edhe kultura, por sfidë janë edhe ekonomia e demokracia.

Ai deklaroi se në këtë drejtim është i rëndësishëm luftimi i korrupsionit, sepse sipas tij e ndihmon Kosovën në rrugën drejt Integrimit në BE dhe arritjen e liberalizimit të vizave.

“Element i rëndësishëm është edhe luftimi i korruspionit sepse do të ndihmojë Kosovën në Integrimin Evropian dhe liberalizimin e vizave, jeni duke bërë punë të mirë në këtë drejtim. E rendësishme është edhe dialogu dhe paqja”

Sekretari Krabal theksoi se përveç Francës edhe shumë shtete tjera angazohen për të ruajtur gjuhën frënge, Ai u shpreh optimist se me anëtarësimin e Kosovës, deputetët kosovarë do të përfitojnë nga kurset dhe seminaret që do të organizohen, raporton EO.

“Në hapësirën tonë frankofone objektiv është gjuha edhe kultura, por sfidë është edhe ekonomia të cilës do t’i qasemi bashkë dhe do ta kalojmë. Sfidë e dytë është demokracia, e përgëzojmë Kosovën për mbrojtjen e Kushtetutës dhe komuniteteve. Kosova ka bërë punë të mrekullueshme këto 10 vjetët e fundit. Diversiteti partiak e kulturor janë vlera të rëndësishme të Frankofonisë”.

Kosova aktualisht është anëtare me të drejta të asocuara në Frankofoni, në cilësinë e vëzhguesit. Kosova synon që t’i bashkohet familjes së 274 milionë personave, të shpërndarë nëpër pesë kontinente dhe të bashkuar nga gjuha frënge dhe vlerat universale që ajo i mbart.

 

 

Fraksion.com