AktualitetRajoniTë fundit

Italia nuk del nga Eurozona

Ministri i Ekonomisë, Giovanni Tria ka thënë për gazetën “Corriere della Sera” se qeveria e re populiste ka për qëllim shkurtimin e borxhit të Italisë dhe kësisoj, nuk e ka në plan daljen nga Eurozona.

“Qëllimi ynë është që të forcojmë rritjen ekonomike dhe të hapim vende të reja të punës”, është shprehur ai.

Tria ka shtuar se si ministër Ekonomie, ai merr përsipër përgjegjësinë që të garantojë mos daljen e Italisë nga Eurozona.

“Pozicioni i qeverisë është i qartë dhe unanim. Nuk është në diskutim asnjë plan për të dalë nga Eurozona. Qeveria është e vendosur që në çdo mënyrë të pengojë materializimin e kushteve të tregut që do të shtynin drejt daljes nga eurozona. Ne jo thjesht nuk duam të dalim, por edhe do të veprojmë në mënyrë që të mos lejojmë shfaqjen e kushteve që mund të vënë në diskutim praninë tonë në Eurozonë”, ka theksuar ai.

Ministri i Ekonomisë së Italisë ka deklaruar se në muajin shtator do të paraqesë parashikimet ekonomike para kabinetit qeverisës.

 

Fraksion.com