AktualitetEkonomiTë fundit

Importet e naftës, rritje rekord në 4-mujorin e parë 2018, ja arsyet

Importet e karburanteve shënuan rekord historike në katërmujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Ministria Financave. Nga të dhënat zyrtare, në janar-prill 2018 janë importuar 160 mijë tonë naftë me një rritje 50 për qind nga viti i kaluar. Teksa shihet se importi arriti një rekord historik në sasi të paktën që nga viti 2000, kur ka nisur raportimi i Ministrisë Financave për këtë produkt.

Burimet nga tregu pohojnë se rritja në krahasim me vitin e kaluar erdhi si pasojë e ndalimit të prodhimit vendas, për shkak të mos vënies në punë të rafinerisë, ARMO. Vitin e kaluar prodhimi vendas i naftës zuri rreth 25 për qind të tregut vendas, teksa nafta “Made in Albania” u eksportua edhe në Kosove dhe në Maqedoni.

Por burimet nga tregu pohojnë se, pavarësisht të dhënave zyrtare nga ministria e Financave, konsumi i naftës nuk ka ndryshuar në raport me vitin e kaluar dhe se rritja është në trend normal.
Sakaq ARMO është rivënë në punë kohët e fundit, por nafta e përpunuar nuk është konsumueshme shpjeguan burimet në ARMO.

Karburantet janë furnitori kryesor i buxhetit të shtetit me taksa, ndaj konsumi i produktit paraqet rëndësi për të ardhurat fiskale në buxhet. Vitin e kaluar vetëm nga taksa e qarkullimit ë naftë u arkëtuan 15 miliardë lekë, pa të ardhurat nga TVSH.

Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku 60% të çmimit e përbëjnë taksat.

Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila. TVSH totale arrin në 28 lekë për litër./Monitor

 

 

Fraksion.com