Prokurori Special Robert Mueller ngre akuza të reja
Prokurori special, i cili po heton ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 po e rrit presionin ndaj ish-shefit të fushatës presidenciale të Donald Trumpit, Paul Manafort duke ngritur akuza të reja kundër tij dhe ndihmësit të tij për përpjekje për të manipuluar dëshmitarët.
Në bazë të akuzave të reja, 69-vjeçari Manafort dhe ndihmësi i tij, 48-vjeçari Konstantin Kilimnik, janë përpjekur të bindin “qëllimisht, në mënyrë korruptive” dy persona, me synimin për të “ndikuar, vonuar dhe penguar” dëshminë e tyre. Sipas akuzave ata kanë kontaktuar dëshmitarët në shkurt dhe prill të këtij viti.
Të dy ata u akuzuan për komplot për të penguar drejtësinë dhe për pengim të drejtësisë. Manafort aktualisht ndeshet me pesë akuza për vepra penale lidhur me punën si lobist për qeverinë e mëparshme të Ukrainës.
Kilimnik, i cili operonte zyrën e firmës konsulente të Manafortit në Kiev, është personi i 20-të ndaj të cilit ngrihen akuza nga prokurori special Robert Mueller.
Sipas prokurorëve, dy persona që nuk identifikohen publikisht, kishin punuar me Manafortin për të organizuar të ashtu-quajturin Grupi i Hapsburgut, një organizatë me ish-zyrtarë evropianë për të lobuar zyrtarë të Bashkimit Evropianë dhe anëtarë të Kongresit amerikan në interes të Ukrainës.
Dy personat u thanë prokurorëve se Manafort dhe Kilimnik ishin përpjekur t’i bindnin të dëshmonin se Hapsburg Group lobonte vetëm në Evropë dhe jo në Shtetet e Bashkuara.
Fraksion.com