AktualitetOp-EdTë fundit

Europa ime: Bukureshti dhe trauma urbane

Një qytet po e humbet fytyrën sepse kërkon të jetë modern e socialist. Bukureshti e ka përjetuar këtë. Shenjat shihen edhe sot. Catalin Florian Florescu me një udhëtim imagjinar në qytetin që e dëshpëron.

Kush merret me Bukureshtin, si unë prej disa kohësh, nuk i shpëton dot pyetjes: Çfarë do të kishte qenë sikur?…Sikur diktatura e kuqe në vitet 50-të nuk do t’ia kishte marrë frymën qytetit me një qark kazermash të lira, parafabrikate që jepeshin me qira, me një shëmti monumentale. Atëherë u ngritën lagjet e punëtorëve për zhvillimin e ëndërruar industrial. Por edhe për njeriun modern socialist, që iu mor individualiteti dhe tradita.

Për djemtë dhe vajzat e fshatarëve që u strehuan në këtë trishtim estetik dhe shoqëror, apartamentet e reja me rrymë elektrike dhe kanalizime ishin vërtet një përmirësim i kushteve të jetesës. Por aty u detyruan të banonin edhe shumë banorë të tjerë, shtëpitë e të cilëve u prishën. Për ta kjo ishte një përvojë traumatike. Kështu është ngritur unaza rreth qendrës së qytetit ku dikur shihje tregtarë të vegjël dhe shtëpitë e tyre, dyqane dhe kopshte. E gjitha një shtrembërim grotesk i hapësirës urbane. Sot këto pallate qëndrojnë ngjitur me njëri-tjetrin si muri në anë të një kanali, përmes të cilit rrjedh trafiku.

Dëbimi 

Kështu u ngritën shumë lagje të reja, jo në fusha të pabanuara, por në ish-femra fshatarësh dhe fshatra që duhej të hapnin vend për jetën e re. Kështu u ngrit edhe Titani, një nga lagjet më të mëdha që u zuri vendin dy fshatrave. Në Dudesti jetonin kryesisht bujq ortodoskë dhe në Cioplea bullgarë katolikë që ishin arratisur nga osmanët përmbi Danubin e ngrirë. Të njohur për kopshtet e perimeve dhe buajt, çdo mëngjes ata dilnin nëpër qytet për të shitur djathin dhe perimet. Që ata kanë ekzistuar dikur të tregon vetëm një varrezë. Një varrezë fshati pa fshat. Vetëm vendi të tregon se dikur ka ekzistuar një i tillë – sopi i një kodre të dikurshme. Sot vetëm mund ta përfytyrosh. Të gjallët e të vdekurit jetojnë aty bashkë, por vetëm të parët kanë frikë. Nga dritaret e kuzhinave e kanë para syve të ardhmen. Të paktën të vdekurit u ruajtën. Në një vend tjetër edhe ata duhej të zhvendoseshin. Në vitin 1986 me urdhër të Çausheskut u prish pjesa e vjetër e lagjes Crangasi. 400 shtëpi, dy shkolla, një kishë dhe një varrezë. U thirrën familjet e të vdekurve, varrezat u hapën në të njëjtën kohë, 11.000 të vdekur u zhvendosën, një dhunim kolosal.

Mobile Churches Projekt vom Fotograf Anton Roland Laub (Anton Roland Laub)

Një kutërbim i padurueshëm kufomash pushtoi hapësirën, pasi varreza ende ishte në përdorim deri pak kohë para prishjes. Secila familje mori nga një arkivol, me kamionë në radhë ata u sollën në periferi të qytetit dhe u varrosën aty për herë të dytë. Vetëm pas kësaj territori u zu me gardh, u ngritën rrugët brenda varrezës dhe u mbollën pemë. Një varrezë e re pa fshat për të vdekurit në ekzil.

Të  vdekurit që nuk rebelonin dot

Varreza e mëparshme u përmbyt- Sot aty sheh një liqen të madh, brigjet të parregulluara, një liqen i pa kuptimtë në mes të peizazhit. Në tabanin e tij themelet e një fshati të vjetër. Por  të vdekurit nuk rebeluan, po ashtu si të gjallët, që ishin paralizuar nga frika dhe letargjia.

Kaq për këtë të keqe. Mund të thuash, se çdo qytet kërkon të rritet, se zhvillimi kërkon viktima. Ka shumë shembuj të një politike urbane të nxituar e të dështuar në Lindje dhe në Perëndim. As unë nuk dua të harroj, se Bukureshti ka bukurinë e tij, dhe lagje të fshehura të mrekullueshme. Të fshehta, sepse ato gjenden, pas kazermave me qira, të ngritura rreth e rreth si për t’i bërë të padukshme. Pas kompleksve komuniste të banimit shpaloset shpesh një jetë si në fshat, papritur mund të marrësh frymë, në rrugë me pemët si kurorë sheh në të dyja anët vila dhe shtëpiza, sikur ky të jetë një qytet tjetër. E megjitharë këto rrugë idilike përfundojnë drejt e në anën e pasme të blloqeve komuniste të banimit.

Bukureshti është si një muze në qíell të hapur edhe për arkitekturën në ndërrimin e shekullit. Në çdo hap ndesh stilin neoklasicist, neorumun, Artin e Ri, Belle Epoque, shtëpi të frymëzuara nga kubizmi në rrugica të qeta e të ngadalta, por edhe akse rrugorë me trafik të dendur. Aq më tepër të ngulitet pyetja, se çfarë do të kishte ndodhur, nëse…nëse nuk do ta kish kapur çmenduria për të shkatërruar imazhin e vjetër të qytetit çiftin e diktatorëve, dy Çausheskë të paarsimuar në pellush diktatori.

Për ndërtesën e dytë më të madhe në botë, Shtëpinë e Popullit, që qëndron e vetmuar në një kodër, dhe për lagjen e re të banimit të nomenklaturës komuniste duhet të prisheshin dy lagje të vjetra. Uranus dhe Mihai Voda. Banorët morën urdhrin e largimit dhe duhet të largoheshin nga shtëpitë që ishin pronë prej disa gjeneratash.

Aty ku kam banuar unë

Aty ku sheh vetëm fusha djerrë, rrënoja, në një hapësirë imagjinare, disa bukureshtas dallojnë rrugën e tyre të dikrushme, shtëpinë e prindërve, kopshtin, ku kanë luajtur si fëmijë. Ata zgjasin dorën dhe tregojnë drejt një pike të padukshme: Aty e kam kaluar fëmijërinë. Kështu u ushtrua dhunë ndaj këtij qyteti, kështu ai humbi jo vetëm pjesën më substanciale historike, por edhe kujtesën. Të çara dhe thyerje të dhimbshme urbane kanë vulosur biografinë e shumë bukureshtasve. Por kjo dhunë nuk mbaroi, as pas rënies së diktaturës. E zëvendësuar me mungesë interesi e kompetence, me korrupsion, spekulime apo marrëdhënie ta pasqaruara prone.

Politika e la në baltë qytetin, e zënë me vetëinskenimin, vetëpasurimin dhe gënjeshtrën. Bukureshti është rrënuar në shumë hapësira. Lagje të tëra duken si geto, rrugë të prishura si rruga e vjetër Calea Mosilor apo pjesë të rrugës historike Calea Rahovei. Ndërtohet sa më lirë, një shëmti e re kap zonat e njohura historike.

Nuk mund të thuhet dot më, nëse Bukureshti, dikur i njohur si qyteti i kopshteve është i bukur apo i shëmtuar. E veçanta e tij janë përzierja, paradokset, thyerjet në peizazh, ambivalenca, dhe marrëdhënia e tensionuar mes pjesëve të dikurshme komuniste, atyre origjinale dhe ndërtesave të rrënuara. Si në kohën totalitare, ky qytet është rrugën e shndërrimit në një fantazëm, dhimbjet e fantazimit shtohen e për fat të keq unë nuk e di, nëse ky proces mund të ndalet. A mund të shpëtohet Bukureshti? Prandaj mbetet në ajër pyetja: Çfarë do të ishte sikur…/DW

Shkrimtari gjermanishfolës Catalin Dorian Florescu lindur në 27 gusht 1967 në Rumani dhe jeton nga viti 1982 në Zvicër. Për romanin „Jakobi vendos të dashurojë” ai u nderua në vitin 2011 me çmimin zviceran të librit. Në shtator botohet libri i tij me tregime „Kërthiza e botës.

 

Fraksion.com