AktualitetBota+Të fundit

Revolta e taksapaguesve amerikanë

Amerikanët, të lodhur nga çmimet e larta të ilaçeve, po mundohen që ta luftojnë këtë situatë. Çfarëdo që Donald Trump të thotë, firmat farmaceutike ndihen të shqetësuara

Një prej shqetësimeve që i bashkon amerikanët e të gjitha partive politike është çmimi i lartë ilaçeve me recetë, shkruan The Economist. Në vitin 2015, ndodhi një incident që dëmtoi rëndë industrinë farmaceutike. Çmimi i ilaçit Daraprim, u rrit nga 13,50 dollarë amerikanë në 750 dollarë amerikanë për pilulë.

Sipas IQVIA, një firmë për të dhëna shëndetësore, çmimet me shumicë të ilaçeve kryesore si Humira, Enbrel dhe Lyrica u rritën me më shumë se 120% midis periudhës 2012 dhe 2017. Referuar disa të dhënave të tjera, çmimet e disa ilaçeve për të luftuar kancerin u rritën nga rreth 10,000 deri në 100,000 dollarë amerikanë vit, në më shumë se një dekadë deri në vitin 2012. Mendohet se në të ardhmen, një gjeneratë e re kurash dhe trajtimesh, si për shembull një terapi gjenetike për hemofilinë mund të kushtojë më shumë sesa 1 milion dollarë amerikanë.

Nuk kanë munguar deklaratat nga Presidenti Donald Trump, i cili akuzon industrinë e farmaceutikës se ajo do t’ia hedhë kësaj situate pa marrë asnjë dënim. Megjithatë, çfarëdo që ai thotë, revolta mbi çmimet e larta të ilaçeve ka nisur, e udhëhequr nga firmat e sigurimeve, menaxherët e përfitimeve të farmacisë (PBMs), punëdhënësit dhe padyshim edhe nga vetë pacientët. Sigurisht, që qeveria ka mundësi për të vepruar dhe për të mbajtur nën kontroll çmimet e ilaçeve.

Ajo mund të bëjë ndryshime në Medicare, një program për të moshuarit ku opsionet përfshijnë dhënien e një fleksibiliteti më të lartë mbi medikamentet që duhet të ofrojë, si dhe lëvizjen e barnave të administruara në zyrat e mjekëve në programe që kanë njëfarë fuqie për të negociuar mbi çmimet e tyre. Por edhe pse një problem i tillë ka disa zgjidhje, ato janë lënë në hije nga një strategji e devijuar e njohur me sloganin “Amerika e Para”, e cila ka ndikim të vogël në çështjen problematike të çmimeve të larta brenda vendit.

Alex Azar, sekretari i Shëndetësisë, kohët e fundit akuzoi qeveritë e huaja se po mundohen të përfitojnë në lidhje me inovacionin amerikan në drejtim të kujdesit shëndetësor kur negociojnë për të paguar çmime më të ulëta për ilaçet e tyre sesa amerikanët. Sidoqoftë, çfarëdo që qeveria federale amerikane po përpiqet që të bëjë, edhe shumë të tjerë po gjejnë mënyrat e tyre për të ulur çmimet e larta të ilaçeve.

Kjo nuk është gjithmonë në të mirë të pacientëve. Ata janë detyruar nga siguruesit të kontribuojnë më shumë në koston e ilaçeve dhe kanë më pak akses ndaj ilaçeve të shtrenjta. Për shembull, prej disa kohësh ata luftojnë për të marrë barna të reja, për uljen e kolesterolit, të njohura si frenues PCSK9, që në fakt janë mjaft të kushtueshme. Por nuk duhet të harrojmë edhe faktin se firmat e farmaceutike janë nën një presion të lartë për të ulur sa më shumë të jetë e mundur çmimet.

Më 1 maj, Express Scripts, njoftoi se kishte përfituar një zbritje të madhe në çmimin prej 14,600 dollarësh amerikanë të ilaçit PCSK9 të prodhuar nga Sanofi / Regeneron, një aleancë farmaceutike. Çmimi i ri varionte 4,500 deri në 8,000 dollarë amerikanë në vit, në përputhje me rekomandimet e bëra nga Instituti për Shqyrtim Klinik dhe Ekonomik (ICER), një grup me ndikim të lartë me seli në Boston.

Reduktimi i çmimeve vjen në formën e një zbritjeje të madhe që do të ndahet midis Express Scripts dhe siguruesve dhe rrjedhimisht do të përfundojë duke ulur çmimin e sigurimit shëndetësor. Pacientët gjithashtu do të paguajnë më pak. Punëdhënësit, të cilët sponsorizojnë pjesën më të madhe të planeve të sigurimit shëndetësor të vendit, po bëjnë hapa të mëdhenj në këtë drejtim.

Aleanca për Transformimin e Shëndetit (HTA), e krijuar në vitin 2016 për të frenuar kostot e rritjes së kujdesit shëndetësor, sidomos për çmimet e ilaçeve të ndryshme, është rritur në numër për të mbuluar 40 punëdhënës të mëdhenj, përfshirë American Express, Coca-Cola dhe Verizon dhe shpenzon rreth 27 miliardë dollarë në drejtim të kujdesit shëndetësor. Sipas kësaj aleance, që nga fillimi i 2018-s e deri më tani, ajo i reduktoi kostot e ilaçeve të anëtarëve të saj me një mesatare prej 15%.

Edhe Shtetet po luftojnë me metodat e tyre. Më 26 prill, bordi i Medicaid të Nju Jorkut kërkoi një zbritje të lartë prej 70% nga Vertex-in, një firmë farmaceutike, për uljen e çmimit të ilaçit të shtrenjtë fibrozës kistike, Orkambi. Një raport i ri nga ICER tregon se ilaçi i Orkambit duhet të kushtojë diçka rreth 83,000 dollarë amerikanë në vit dhe jo 250,000 dollarë amerikanë.

Pra, edhe pa pritur që z. Trump të veprojë në këtë drejtim, ka një nxitje nga shumë organe që po e bëjnë ndërkohë një gjë të tillë. Një raport i ri nga IQVIA thotë se, megjithëse çmimet e listës për ilaçe të shtrenjta u rritën me 6.9% në 2017, pas zbritjeve të shumta, rritja neto ishte vetëm 1.9%./Monitor

 

Fraksion.com