AktualitetPolitikëTë fundit

Projektet e qeverisë, Rama: Fieri, potencial i pashfrytëzuar

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Apolloni, ku ka prezantuar projektet e reja për qarkun e Fierit.

Rama tha se programi i punësimit mbetej pikë kyçe e detyrimeve të qeverisë në këtë qark.

“Është me rëndësi të nënvizohet që përsa i përket programit tonë të punësimit, Fieri është një nga zonat ku numri i të punësuarve është më i larti. Është me rëndësi të nënvizohet se paketën e programeve për investimet për 3 vitet e ardhshme, theksi është te rritja e mëtejshme të punësimit”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë premtoi përfundimin e rrugës së Semanit, si dhe njoftoi përfundimin e bypass-it të Fierit për sezonin e ardhshëm veror.

“Është e qartë që Fieri ka dhe një potencial të pashfrytëzuar turistik; vija bregdetare që është krejt e pazhvilluar, e ku ne duam të nxisim zhvillim të shpejtë e të arsyeshëm në funksion të dekadave që vijnë. Rindërtimi i plotë i një rruge në Seman; jemi në proces gare e do nisim punën për këtë rrugë duke punuar edhe me bashkinë.

Bypassi i Fierit është bërë stres i madh për të gjithë ata që jetojnë në këtë zonë, por edhe për turistët e shumtë. Ky do të jetë viti i fundit të këtij stresi, se prishëm kontratat me kompanitë ekzistuese pasi nuk paguanin njëri-tjetrin. Në shtator nisim e nuk e ndalim më punën përpara sezonit tjetër turistik,” tha ai.

Rama gjithashtu tregoi projektet për rafinerinë e naftës, si dhe programin e 100 fshatrave, duke shtuar se turizmi është motori i ekonomisë së vendit.

“Qeveria ka një plan mbështetje për të gjithë atë që do investojnë në agroturizëm, për të krijuar kushtet për të patur një mikëpritje, nga tryezat e deri te dhomat e fjetjes, për të pasur dallim nga restorantet në përgjithësi. Kush merret sot me agroturizëm bën para.

Rafinimi i naftës është në rrugë të mbarë se kemi një kontratë të re për të rritur kapacitetet e rafinerisë, sigurinë dhe prodhimin. Uji i pijshëm ka qenë problem dhe është kthyer në një pikë parësore për ne. Do ndërtojmë ujësjellës të rinj.

Dua të përmend edhe programin e 100 fshatrave, ku Fieri ka 9 të tillë. Të ndërtojmë shembuj të integruar të transformimit në funksion të turizmit, se turizmi është motori i ekonomisë sonë,” tha kryeministri.

Ai e përmbylli duke thënë se “nuk ka qorr me sy në ballë që të mos shohë ndryshimin rrënjësor në Fier”.

 

Fraksion.com