Presidenti Meta në Pustec : Do t’i kaloj këtu disa nga ditët…
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ishte i pranishëm sot në Pustec për çeljen e sezonit turistik.
Ai vizitoi dhe Kishën e Shën Marisë në ishullin e Maligradit.
“Ftoj turistët vendas dhe të huaj të shijojnë bukuritë natyrore e të pakonkurrueshme të kësaj zone, veçanërisht të liqenit të Prespës, mikpritjen e jashtëzakonshme dhe gatimet tradicionale”,- shkruan Meta në Facebook.
Presidenti Meta, i shoqëruar nga autoritetet vendore vizitoi Kishën e Shën Mhillit dhe atë të Shën Marisë në ishullin e Maligradit: “Kjo perlë e natyrës, destinacion atraktiv i turizmit, duhet vizituar”, nënvizoi kreu i shtetit.
Postimi i plotë:
“Së bashku me autoritetet vendore çelëm sot sezonin turistik në Bashkinë Pustec. Ftoj turistët vendas dhe të huaj të shijojnë bukuritë natyrore e të pakonkurrueshme të kësaj zone, veçanërisht të liqenit të Prespës, mikpritjen e jashtëzakonshme dhe gatimet tradicionale. E mahnitshme Kisha e Shën Marisë në ishullin e Maligradit. I uroj sezon të mbarë turistik Bashkisë së Pustecit, ku kam vendosur të kaloj disa ditë gjatë pushimeve verore”.