150 vjet Mafie: Fjala që u bë histori
Kjo fjalë u shkrua njëqind e pesedhjetëvjet e tre vjet më parë në një dokument zyrtar. Dhe për fat të keq u bë histori
Është fjala italiane më e famshme në botë. Më shumë se pica apo spageti. E pranishme në të gjithë fjalorët dhe enciklopeditë e çdo vendi. Me një origjinë të pasigurtë, vjen nga termi “Maha fat”, shprehje arabe që do të thotë imunitet? Apo nga një shprehje vjetër toskane, që tregon nderimin dhe arrogancën?
Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, shkruhej dhe shqiptohej me dy “f”. Origjina e kësaj fjale, dhe sigurisht nuk është rastësi, është e vjetër, thuajse sa bashkimi i shtetit italian. Por e sigurtë është se si dukuri ka ekzistuar që më parë, ndonëse askush nuk i kishte vënë ende një emër.
Një dorëshkrim nga prefektura nuk bëri kurrë histori, por ajo që markezi Filipo Antonio Gualterio, i dërgoi Ministrit të Punëve të Brendshme të Mbretërisë, Xhovani Lanzas, u provua të jetë një tregues shumë i rëndësishëm: ajo tregon datën e saktë, kur Mafia filloi të quhej e tillë. Saktësisht njëqind e pesëdhjetë vjet më parë. Dokumenti me një vulë dhe emblemën me kryq të Savojës, mban datën 25 prill 1865.
E lindur në fshatrat e Palermos dhe në çifligjet e Siçilisë qëndrore, kjo fjalë që ka kaluar nëpër shumë çështje politike dhe kriminale të kombit italian, nuk ka patur gjithnjë të njëjtin kuptim.
Çdo epokë ka patur mafian e saj. Një shekull më parë përfaqësonte diçka, pas vrasjes së Xhovani Falkones dhe Paolo Borselinos diçka tjetër, dhe sot një gjë krejt tjetër. Por ishte atë ditë, 25 prilli i vitit 1865, që Maffia – e cila më pas do të shndërrohet në Mafia – hyri zyrtarisht dhe në mënyrë kërcënuese në fjalorin tonë. Informacioni i parë, mbi ekzistencën e këtyre bandave, “mbi 100, të rangjeve të ndryshme, të cilët ishin mbledhur nën një betim të fortë, për të mos zbuluar kurrë rrethanat e operacioneve të tyre me koston e jetës”, daton që në vitin 1828, dhe është raportuar nga një gjyqtar i panjohur në Agrixhento, i cili përshkruan një organizatë kriminale, që i kishte rrënjët në fshatrat Cattolica, Cianciana, dhe Santo Stefano di Quisquina.
Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1838, prokurori i Gjykatës së Madhe Penale të Trapanit, Pietro Kala Uloa ankohej se “në shumë fshatra, sindikatat apo vëllazëritë, sidomos sektet që vetëquhen parti, pa ndonjë lidhje tjetër veç asaj të varësisë ndaj një shefi, që këtu është një pronar toke, diku tjetër një prift, janë si tip qeverish të vogla, brenda qeverisë”.
Por ishte prefekti i Palermos, markezi Gualterio, ai që në pranverën e vitit 1865 – Garibaldi kishte zbarkuar në Marsala, vetëm 5 vite në parë – paralajmëroi mbi ekzistencën e “një moskuptimi të rëndë dhe të zgjatur mes zonës dhe autoriteteve”, duke njoftuar rrezikun që “e ashtuquajtura Maffia, ose organizata e hajdutëve, mund të zgjerohej me guxim, dhe se nga ana tjetër qeveria nuk kishte autoritetin e duhur moral për të kërkuar mbështetjen e nevojshme ndaj qytetarët më me ndikim, përsa i përket autoritetit”.
Mbajmë frymën për një moment dhe reflektojmë: njëqind e pesëdhjetë vjet më vonë, a ka ndryshuar në të vërtetë diçka? Si do që të jetë apo dëshirohet të shihet, nga ajo ditë e më pas, në Itali, mbi mafian nuk është reshtur kurrë ndonjëherë së foluri dhe stërfoluri. Para dhe pas bejetës tragjike në Kaporeto, në epokën e Duçes, në Republikës e Parë dhe të Dytë, në Kaltaniseta dhe Aosta, në Portela della Xhinestra dhe në Milano, në Korleonen e Toto Riinës dhe Renato Skifanit, në podin më të lartë të Senatit. Duke kaluar më pas tek i “pavyshkuri” Xhiulio Andreoti dhe “pirati” Silvio Berluskoni.
Gjithçka filloi në 25 prillin e një shekulli e gjysmë më parë, edhe pse, në të vërtetë, disa vjet më parë, në rrugët dhe teatrot popullore të Palermos, ishte vënë në skenë një komedi dialektale në tri akte (Mafiozët e Famullitarisë), shkruar nga Xhuzepe Rizoto dhe Gaetano Moska. Vepra, ku citohej gjithmonë fjala “mafiozë” dhe asnjëherë “mafia”, rrëfente historinë e një të burgosuri, të cilit i nënshtroheshin të gjithë të dënuarit e tjerë të mbyllur në Vikaria, burgu famëkeq që me urdhër të Burbonëve u zëvendësua në mesin e shekullit të XIX-të nga Uçiardone.
Por tek procedurat, në arkivat e shtetit italian, është raporti i Gualterios që mbetet një pikë referimi historike: origjina e mafias si mafia. Raporti i tij për Ministrin e Brendshëm dhe kreun e qeverisë, Alfonso La Marmora, tashmë identifikonte thelbin e asaj organizate, ku nuk kishte vetëm “keqbërës”, por edhe “shumë pronarë”, të cilët ishin në krah të “hajdutësisë, me të cilën kishin patur marrëdhënie edhe disa parti politike”.
Pastaj spikaste në dokument ajo fjalë profetike: “E ashtuquajtura Maffia”. Gjithmonë e shkruar me gërma kapitale. Analiza e markezit-prefekt, megjithëse në mënyrë të pashmangshme e përafërt, më pak se çerek shekulli më vonë – në vitin 1889 – ishte harruar nën një mal ‘arsyetimesh’ dhe mbrojtjesh përtej Siçilisë dhe në nder të siçilianëve.
Njeriu më me ndikim i kësaj shkolle mendimi, që në vitet që do të pasonin do të ndikonte intelektualët dhe sidomos politikanët shumë të interesuar mbi këtë çështje, ishte studiuesi i famshëm i folklorit Xhuzepe Pitre (themelues në Siçili i “demologjisë”, që ai e etiketoi si demopsikologjia, psikologjia e popullit), që me një operacion mistifikues arriti të qetësojë shqetësimet mbi identitetin, dhe varrosë lidhjet përmes pushtetit.
Pitre e përshkruante kështu mafian që njihte: “Është vetëdija e vetë qenies, koncepti i ekzagjeruar i forcës individuale, arbitri i vetëm i çdo konflikti, çdo përplasjeje interesash dhe idesh; që nga moskokëcarja që buron nga superioriteti dhe akoma më keq, nga arroganca e të tjerëve”. Pastaj, për 50 vjet, secili zgjodhi për veten ose miqtë e tij dhe ortakët, interpretimin më të përshtatshëm dhe më pak të rrezikshëm të kësaj shprehje, duke preferuar ta zgjidhin njëherë e mirë çështjen mbi mafian, si një gjendje të pastër “shpirtërore të siçilianëve”.
Do të jetë e mjaftueshme, për të kujtuar një episod të vetëm të këtij debati me shumë keqkuptime, në lidhje me mafian dhe mafiozët, fjalimi në senat e Ministrit të Brendshëm Mario Selba, në 25 qershor 1949: “Të nderuar Senatorë, mjafton të vësh këmbën në Palermo, që vetëm pas pak minutash të flitet për mafian, dhe flitet për të në çdo kuptim. Sepse nëse kalon një vajzë plot forma do të na thotë se është mafioze, ose në qoftë se është një djalë i mitur, do t’iu thotë se është mafioz. Flitet për mafian në mënyra të ndryshme, por senatorë të nderuar, unë mendoj se po teprohet …”.
Dekadë pas dekade, Mafia mori forma të ndryshme, apo edhe u zhduk. Së bashku me emrin. Midis viteve 1970-1975, pikërisht kur klani i Korleonezëve po merrte kontrollin e “Cosa Nostra”-s, për ta bërë atë organizatën më të fuqishme kriminale në botën perëndimore, fjala ‘mafie’ u zhduk nga raportet e avokatëve të përgjithshëm të Palermos, në hapjen e vitit gjyqësor në këtë rreth.
Mundet të ketë qenë një rastësi, por duke e rimenduar sot dhe medituar mbi rolin e gjyqësorit të kohës, ky fakt të fut drithmat. Shumë sugjestionues është rindërtimi që i bën historiani Françesko Renda, në librin e tij “Historia e Mafias”, kameleonizmit kuptimor të kësaj fjale. Çfarë është mafia? Cili ka qenë përkufizimi i saj kohë pas kohe? Profesor Renda, sjell në kujtesë atë çka kanë raportuar për këtë në 20 vjet, fjalorët më të rëndësishëm italianë.
Dhe u desh Xhovani Falkone dhe maksi-procesi i tij i filluar në vitin 1984, gjykimi në shkallën e parë përfundoi në dhjetor 1987, ndërsa vendimi përfundimtar i Gjykatës Supreme u dha në 30 janar 1992 – për të zbuluar se çfarë ishte dhe çfarë është në të vërtetë mafia. Jo një sëmundje “e mishëruar në zakonet e siçilianëve dhe e trashëguar me gjakun”, por “një organizatë kriminale dhe sekrete, e cila me dhunë dhe frikësim, ka mbjellë dhe mbjell vdekje dhe terror”.
Mbi shkaqet e jetëgjatësisë së saj, nuk ka asnjë dyshim. Ka qenë përherë e mbrojtur nga pushteti. Edhe pas gjithë kësaj kohe hipokrizie, e gjitha italiane, çdo herë që ne flasim për të, gjithmonë habitemi, sikur sapo ta kishim zbuluar.
E megjithatë, që në vitin 1900, Napoleon Kolajani, komplotist mazinian, ish-garibaldist, “agjigjator” politik dhe pastaj deputet republikan, i bërë i famshëm pasi demaskoi skandalin e parë të madh kombëtar (ai i Banca Romana), shkroi librin “Në Mbretërinë e Mafias”, vepra e tij më e famshme: “Për të luftuar dhe shkatërruar mbretërinë e mafies, është e nevojshme e thelbësore, që qeveria italiane të pushojë së qëni mbreti i Mafias”. Natyrisht, jo të gjithë ndanin apo ndajnë edhe sot idetë e Kolajanit. Por, le ta pranojmë, se ajo fjalë vazhdon të na vërë gjithnjë në siklet. Dhe madje shumë prej nesh. Si kryeministër në vitin 2009, Silvio Berluskoni nuk mundi të përmbahej kur u shpreh pa doreza: “Në rast se gjej cilët kanë shkruar libra mbi Mafian, duke na e nxirrë imazhin nëpër botë, betohem se do t’i mbys”. Ja se çfarë deklaronte publikisht Roderiko Pantaleoni, Prokurori i Përgjithshëm i Mbretit në Gjykatën e Apelit në Palermo, në inaugurimin e vitit të gjyqësor 1902: “Nëse ka ndër ju, që besojnë se duke folur për krimin, unë duhet të diskutoj mbi Mafian, do të zhgënjehet dhe bën mirë të ngushëllohet. Është folur aq shumë, janë bërë kaq shumë abuzime me këtë fjalë, sa sinqerisht ju them se nuk mund të dëgjohet të flitet më për të, pa provuar më parë një ndjenjë përzierje dhe neverie”. /La Repubblica/Bota.al
Fraksion.com