Xhafaj takon Bozhinoviç; Në fokus migracioni i paligjshëm
Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviç pati një takim me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, ku tema kryesore e takimit ishte rrjedha e migrantëve të paligjshëm që vijnë nga Turqia në vendet e rajonit dhe ndërtimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit me mbështetjen e kapaciteteve të Bashkimit Evropian.
Pas takimit të dy ministrat theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira pa asnjë çështje të hapur që kanë Kroacia dhe Shqipëria në nivel kombëtar, por edhe në nivelin e Ministrive të Punëve të Brendshme.
Ministri shqiptar Xhafaj shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen afatgjate që Kroacia ka ofruar në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe në zbatimin e reformave të nevojshme për kursin evropian të vendit.
“Për ne shqiptarët Kroacia ka qenë dhe do të mbetet një shtet udhërrëfyes që ndjekim për të shkuar drejt integrimit evropian”, tha Xhafaj.
“Kroacia dhe Shqipëria përballen së bashku me vendet e tjera të rajonit, me migracionin ilegal dhe kërcënimin e sigurisë së rajonit”, tha Xhafaj, duke shtuar se për Gadishullin Ballkanik është veçanarisht e vështirë të menaxhohet kriza e migrantëve përmes të ashtuquajturës “Rruga Ballkanike” nga viti 2015.
Ai vuri në dukje se vendi i tij, në krahasim me vitin e kaluar, ka një fluks të shtuar të migrantëve nga Greqia fqinje, për të cilën Shqipëria është vetëm një vend tranzit.
Xhafaj tha se informoi homologun kroat Bozhinoviç se Tirana angazhohet më përkushtim sa i përket lëvizjeve të reja të migrantëve si dhe për hapjen e Shqipërisë si kandidat për Bashkimin Evropian.
Ministri kroat Bozhinoviç takimin e sotëm me homologun e tij shqiptar, e ka quajtur si vazhdim i përpjekjeve kroate në forcimin e bashkëpunimit me vendet fqinje, sepse siç tha, çështjet transnacionale mund të zgjidhen vetëm në bashkëpunim me të tjerët.
“Ne duam të ndihmojmë Shqipërinë, kur është fjala për anëtarësim në BE, por edhe për sa i përket ballafaqimit me migracionin e paligjshëm, sepse ajo është e rëndësishme për Shqipërinë, Kroacinë dhe BE-në”, tha Bozhinoviç.
Ai përshëndeti përfundimin me sukses të marrëveshjes së Shqipërisë me FRONTEX-in i cili do të mundësojë kontroll më të mirë të kufijve të jashtëm.
“Kroacia në rajon ka policinë kufitare më të fortë, e cila së shpejti do të numërojë 6.300 pjesëtarë”, tha Bozhinoviç.
Ai theksoi se kriza e migrantëve është problem rajonal, por gjithashtu edhe një problem më i gjerë.
“Nëse Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina nuk bëjnë pjesën e tyre të punës, nuk do të mund ta bëjnë as shtetet që vijojnë në këtë rrugë”, tha Bozhinoviç.
Shqipëria është një nga vendet pjesëmarrëse të programit kroat “Sezoni i sigurtë turistik”, i cili përfshin shkëmbimin e një numri të policëve, ashtu që komunikimi me turistët shqiptarë që qëndrojnë në Kroaci të jetë i një cilësie më të lartë./AA
Fraksion.com