Vendburimet e naftës i jepen kompanisë që ka borxhe ndaj shtetit shqiptar
Koncesioni i fituar nga TransOil Group për 3 vendburimet e naftës, Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj dhe Amonicë, ka një sërë shkeljesh proceduriale, financiare por edhe konflikt interesi, krahas faktit që ka lidhje të errëta me rusët.
E përfaqësuar në Shqipëri me kompaninë Visoka Oil Corporation, TransOil Group rezulton të jetë debitore ndaj Albpetrol me rreth 7 mijë ton naftë, e barazvlefshme me 2.5 milion dollarë si dhe detyrime të prapambetura në vlerën e 700 mijë dollarëve.
TransOil group e ka krijuar këtë borxh nëpërmjet vendburimit të naftës në Visokë, në afërsi të Ballshit, të cilën e shfrytëzon që prej shkurtit 2012.
Ky borxh ndaj Albpetrol, automatikisht duhet ta skualifikonte këtë kompani, e jo më ta shpallte fituese.
Albpetroli i hoqi vendburimin e naftës shoqërisë Phoenix, atë të Amonicës, sepse krijoi një borxh prej 1500 ton naftë, e barazvlefshme me 100 mijë dollarë, pra 32 herë më pak se kompania TransOil Group e cila vijon të ketë vendburimin e Visokës, por mbi të gjitha ka përfituar edhe 3 vendburime të reja.
Kjo krijon një precedent të rrezikshëm në pasigurinë e marrëveshjeve hidrokarbure mes shoqërive të huaja dhe shtetit shqiptar.
Pak kohë më parë, ish drejtori i AKBN-së, vuri në dijeni Ministrin Gjiknuri për problemet që kompania TransOil Group po i sillte buxhetit të shtetit, nëpërmjet shfrytëzimit të vendburimit në Visokë.
Ndërsa në shkurt të 2018-s, AKBN i tërhoqi vëmendjen TransOil Group që të respektojë marrëveshjen për vendburimin e Visokës, ose në të kundërtën do t’i revokohej licenca.
Një tjetër kriter i shkelur nga kompania Transoil Group është pagesa ndaj Albpetrol për të blerë Paketën e të Dhënave, një kriter ky i vendosur përpara se të zhvillohej gara koncesionare.
Por, sipas një transaksioni bankar të siguruar nga “Të Paekspozuarit”, Transoil Group e ka kryer këtë pagesë në datë 4 prill 2018, pra, 5 ditë pasi ishte shpallur fitues. Me gjasë, fatura është futur brenda në dosje nga zyrtarë të Albpetrol, pasi në datë 30 mars 2018, Transoil Group i kishe dorëzuar të gjitha dokumentet, përveç pagesës
Fraksion.com