AktualitetNATO/BETë fundit

Stoltenberg: Bashkëpunimi NATO-BE do të forcohet, por mbetet tek 74 fushat

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke iu përgjigjur gazetarëve, në një konferencë shtypi,  pas përfundimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes, lidhur me bashkëpunimin NATO-BE, tha se do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin.

Por ai tha se nuk do të ketë  më shumë propozime pasi fokusi do të jetë  “që të sigurohemi që ne të zbatojmë ato që tashmë kemi rënë dakord”.

“Në korrik në Samitin tonë, atë që pres është që Presidenti Juncker dhe Presidenti Tusk dhe unë do të nënshkruajmë, para Samitit, një deklaratë të përbashkët ku ne të përshkruajmë rrugën përpara se si të punojmë së bashku. Ne nënshkruam një deklaratë të ngjashme para Samitit të Varshavës, Samitin e NATO-s në Varshavë në vitin 2016 dhe që atëherë kemi rritur bashkëpunimin tonë. Ne kemi rënë dakord me 74 fusha të bashkëpunimit, të cilat gjithashtu përfshijnë ato detare. Dhe mendoj se tani, fokusi ynë nuk është që të shtojmë më shumë propozime, por është që të sigurohemi që ne të zbatojmë ato që tashmë kemi rënë dakord.”

Ai tha se gjatë dy viteve të fundit, NATO dhe BE kanë arritur një nivel të paprecedentë bashkëpunimi, duke përfshirë operacionet kibernetike, operacionet detare, luftën kundër terrorizmit, stërvitjet dhe mobilitetin ushtarak.

Stoltenberg tha se BE dhe NATO ndajnë interesa dhe sfida të përbashkëta, pasi më shumë se 90 për qind e qytetarëve të BE-së jetojnë në një vend të NATO-s.

Ai tha se operacionet detare janë pjesë e këtij bashkëpunimi.

“Ne kemi Operacionin tonë Sophia në Mesdhe dhe ne kemi praninë tonë të NATO-s në Detin Egje, duke ndihmuar në zbatimin e marrëveshjes midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë mbi krizën e emigrantëve dhe refugjatëve. Nëse ka nevojë të rritet, është shumë herët të thuhet.”

Ai tha se kjo varet nga zhvillimet dhe nga kërkesat e shteteve anëtare.

“Por NATO është atje dhe NATO ka treguar edhe më parë se ne jemi në gjendje kur është e nevojshme, për shembull vendosja jonë e Egjeut ishte diçka që ne kemi qenë në gjendje ta zbatojmë vetëm 48 orë pas marrjes së vendimit”, tha Stoltenberg.

 

Fraksion.com