AktualitetPolitikëTë fundit

Shqipëria kamp për terroristët e ISIS? Kryeministria: Ja si qëndron e vërteta

Pas lajmeve që qarkulluan në media se në Shqipëri mund të ngrihej një qendër rehabilitimi për ish-terroristët e ISIS, vjen reagimi nga Kryeministria.

Këshilltari i Sigurisë në Kryeministri Sander Lleshi, përmes një deklarate për mediat bën me dije se nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkese për diçka të tillë.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, që ishte edhe organizatorja e konferencës ndërkombëtare të para pak ditëve, ku mori pjesë edhe kryeministri i Bullgarisë, Borisov.

REAGIMI I KRYEMINISTRISË

Duke vënë re se disa lajme të rreme me karakter provokues dhe politike, spekulojnë haptazi mbi një gjoja qendër për grumbullimin e ish-militantëve të ISIS-it në Shqipëri, këshilltari i sigurisë i kryeministrit, Sander Lleshi, bën me dije se nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkese, plani apo mundësie për diçka të tillë. Këto opinione që i referohen një fraze të përdorur nga kryeministri Borisov, janë krejt pa lidhje me subjektin të cilit shefi i qeverisë bullgare i’u referua në prononcimin e tij.

Bëhet thjesht fjalë për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, që ishte edhe organizatorja e konferencës ndërkombëtare të para pak ditëve, ku mori pjesë edhe kryeministri i Bullgarisë.

Shqipëria ka propozuar kthimin e kësaj qendre në një qendër rajonale, për të kryer analiza, vlerësime, studime, shkëmbim informacioni si edhe programe të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Por kjo qendër as nuk është, as nuk mund të jetë dhe as nuk i ka shkuar kurrëkujt në mendje që të kthehet në një repart grumbullimi të ish-militantëve të ISIS-it. Jo vetëm sepse askush dhe asnjëherë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, po edhe sepse kjo fantazi nuk ka asgjëkundi lidhje me misionin e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe me projektin tonë për rajonalizimin e saj.

 

Fraksion.com