AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump, sportistëve protestues: Sugjeroni emra për t’u falur

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se ka në plan t’u kërkojë lojtarëve të Ligës Kombëtare të Futbollit amerikan (NFL) që janë ulur në gjunjë në shenjë proteste ndërsa këndohej himni, që të rekomandojnë persona që ata mendojnë se ishin dënuar padrejtësisht nga sistemi i drejtësisë në vend.

“Do t’u kërkoj të gjithë atyre që të më rekomandojnë emra, sepse pikërisht për këtë po protestojnë, për njerëz që ata mendojnë se janë trajtuar padrejtësisht nga sistemi i drejtësisë”.

Prej afro dy vjetësh, disa lojtarë të NFL-it janë janë ulur në gjunjë gjatë himnit kombëtar në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për racizmin sistematik në Shtetet e Bashkuara, përfshirë raste të vrasjeve nga policia të afrikano-amerikanëve të paarmatosur dhe pakicave të tjera, ku pjesëtarë të organeve të rendit shpesh nuk dënohen për gabimet e tyre.

Megjithatë, zoti Trump, është shprehur se lojtarët që protestojnë janë jopatriotë sepse sipas mendimit të tij, gjunjëzimi gjatë himnit është mungesë respekti ndaj flamurit amerikan.

“Ata nuk janë krenarë sa ç’duhet për t’u ngritur në këmbë për himnin tonë kombëtar. Nuk më pëlqen”, tha ai. Presidenti Trump shtoi gjithashtu se nëse komisioni i tij shqyrtues përcakton se personat që sportistët rekomandojnë janë trajtuar padrejtësisht, “atëherë do t’I falim ose do t’i lirojmë”.

Presidenti Trump i bëri komentet gjatë një shkëmbimi me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për në takimin e G-7-ës në Ontario. Ai tha se po shqyrtonte mundësinë që të falte kampionin e boksit dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Muhammad Ali, që u dënua në vitin 1967 se nuk pranoi të hynte në ushtri gjatë Luftës së Vietnamit, një dënim që Gjykata e Lartë e rrëzoi në vitin 1971. Avokati i Aliut, u përgjigj në Twitter, duke thënë se e vlerësonte gjestin e Presidentit, por “falja ishte e panevojshme”.

 

Fraksion.com