Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s diskutuan përparimin në Afganistan
Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s përfunduan sot takimin dy-ditor në Bruksel me një diskutim mbi misionin e trajnimit të Aleancës në Afganistan dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj qeverisë afgane dhe forcave të sigurisë afgane.
Duke folur në një konferencë shtypi pas takimit, sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg tha se “aleatët e NATO-s dhe partnerët nuk janë vetëm duke ruajtur kontributet e tyre në Misionin Mbështetës të Përhershëm, ata po i shtojnë ato.” Ai gjithashtu vuri në dukje “përparimin e vërtetë” të forcave afgane “për të kryer operacione sulmuese”, dhe shprehu besimin e tij se udhëheqësit e NATO-s do të bien dakord kur takohen në Samitin e Aleancës muajin e ardhshëm, që të japin fonde për Forcat Afgane të Sigurisë deri në vitin 2024 .
“Qëllimi ynë është të forcojmë forcat afgane të sigurisë në mënyrë që ata të krijojnë kushtet për një zgjidhje paqësore”, tha Sekretari i Përgjithshëm. Ai vlerësoi gjithashtu ofertën e fundit të presidentit Ghani për bisedimet e paqes me talebanët, duke theksuar se “një proces i paqes në Afganistan dhe i zotëruar nga Afganët është thelbësor për një zgjidhje politike afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse”.
Gjatë takimit të tyre dy-ditor, ministrat gjithashtu morën vendime për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen e Aleancës, diskutuan mënyrat për të rritur përpjekjet për të projektuar stabilitetin dhe për të luftuar terrorizmin, si dhe për të eksploruar mënyrat e rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Ishte takimi i fundit i ministrave të NATO-s para Samitit në Bruksel më 11-12 korrik.
Fraksion.com