A të “çmend” pushteti?
Ne e quajmë psikoza e pushtetit, sepse në fakt ajo sjell humbjen e kontaktit me realitetin. Shumë prej despotëve të botës sonë, që janë në krye të shteteve të ligj, bizneseve, kulteve, sekteve fetarë, celulave terroriste dhe organizatave kriminale, ndajnë këtë lloj vetëmashtrimi tipik. Në fakt, dekada të tëra studimesh kanë treguar se shumë prej nesh me pushtet – të pasurit, të famshmit, të fuqishmit, të avantazhuarit politikisht, dhe ata në pozicione me autoritet të lartë – kanë prirjen të bëhen gjithnjë e më të prekshëm, nga forma të ndryshme të psikozës së pushtetit.
Ja se si funksionon: Sa më gjatë që njerëzit qëndrojnë në pushtet, aq më shumë ata e përpunojnë informacionin në mënyrë abstrakte, i perceptojnë njerëzit e tjerë në terma instrumentalë dhe stereotipë, fitojnë gjithnjë e më shumë vetëbesim dhe vetëfrenohen gjithmonë e më pak, bëjnë zgjedhje me më shumë risk, dhe kapaciteti i tyre për arsyetimin kompleks social dhe gjykimin moral reduktohet gjithnjë e më shumë. Ata bëhen gjithashtu më pak të prirur që të adoptojnë këndvështrimin e dikujt tjetër, janë gjykatës më pak të saktë të emocioneve të të tjerëve, dhe informacioni që kanë për vartësit është gjithnjë e më i pasaktë.
Madje ata fillojnë t’i shohin të tjerët si më të vegjël, edhe fizikisht.
Me kalimin e kohës, të pushtetshmit zhvillojnë një ndjesi superoptimizmi, një formë krenarie vetiake ku ndihen se mund të bëjnë apo thonë çfarëdo që ata duan, shpesh herë bëjnë shkelje skandaloze, pasi besojnë se nuk mund të kapen apo ndëshkohen. Sigurisht, kjo ndodh brenda kulturave, institucioneve dhe normave që i lejojnë të bëjnë të gjitha këto, të pakontrolluar. Kur të pushtetshmit e gjejnë veten në mosmarrëveshje me të tjerët, pikërisht aty marrin më shumë jetë iluzionet e tyre. Njerëzit që kanë shumë pushtet ndihen shumë rehat, kur pështasin një stil dominues në një konflikt, dhe shpesh herë e humbasin aftësinë për të reaguar në mënyra të tjera. Ata monopolizojnë kohën e të folurit dhe flasin pa radhë, janë shumë më të prirur që të shprehin mendimet e tyre private dhe sjelljet e tyre të vërteta, dhe janë shumë më pak të ndikueshëm nga sjelljet e shprehura, apo nga përpjekjet e të tjerëve për t’i bindur. Ata gjithashtu u kushtojnë më pak vëmendje atyre që kanë më pak pushtet, mbivlerësojnë pushtetin e tyre dhe nënvlerësojnë pushtetin e të tjerëve, nuk arrijnë të kuptojnë mjaftueshëm mosmarrëveshjet në të cilat ndodhen, dhe janë më të prirur drejt shkeljes së rregullave dhe ligjeve.
Në një studim të kryer në negociata ndërkombëtare të niveli të lartë, studiuesit arritën në konkluzionin se negociatorët e vendeve më të fuqishme, zakonisht neglizhonin të mendonin për dallimet e pushtetit. Nëse e bënin, ata zakonisht vepronin nën supozimin që fuqia e tyre superior ishte e mjaftueshme, për t’I lejuar që të mbizotëronin në negociata, dhe si pasojë, ata i kushtonin shumë pak vëmendje llojeve të veçanta të hapësirave të manovrimit, që mund të vinin në veprim kundërshtarët e tyr me më pak pushtet. Si rezultat, ata që kanë më shumë pushtet shpesh here humbasin në negociata dhe konflikt – ata nuk marrin atë që duan, harxhojnë kohë, dhe dështojnë në krijimin e vlerave. Ata ngecin në negociata të tipit “merre ose lëre”, apo “merre ose vuaj.”
Është konkluduar se problemet më të mëdha shfaqen kur udhëheqësit fiksohen pas një qasjeje të vetme ndaj konfliktit [si për shembull dominimi], ose kur strategjia e tyre kronike bie ndesh me kërkesat apo situatat që ndryshojnë. Edhe të qenit dashamirës me tepri gjatë konfliktit kundrejt vartësve mund të dëmtojë autoritetin, shkaktojë rënie të moralit, dhe të lërë stafin konfuz e të pamotivuar.
Sot, popujt e Koresë së Veriut, Sirisë, Zimbabvesë dhe Ukrainës, për të përmendur disa, vazhdojnë të vuajnë prej sundimit të despotëve të kapur prej psikozës së pushtetit. Forbes shkruante kohët e fundit se “Planeti mbetet i mbushur me diktatorë, që janë në gjendje të errësojnë ditët e milionave, me një të ngritur të gishtit.” Tani bota ka nevojë për një brez të ri udhëheqësish të përshtatshëm, të rritur me një dietë të qëndrueshme integriteti, fleksibiliteti, aftësish dhe dhembshurie për nevojat dhe interest e të tjerëve. Kur kjo bashkohet me qeverisje shtetërore dhe një komunitet ndërkombëtar në gjendje të ofrojnë kontrollet dhe ekuilibrat e nevojshëm për të frenuar çmendurinë e pushtetit, me sigurë që bota do të bëhet një vend më i mirë./Huffington Post
Fraksion.com