Turqi: Dhjetra studentë gjykohen për terrorizëm
Në Stamboll, 22 studentë nga një prej universiteteve prestigjoze të Turqisë po gjykohen nën akuzat për terrorizëm. Rasti ka marrë një rëndësi të veçantë mes kritikave në rritje lidhur me shtypjen që vazhdon ndërsa në atë vend ende mbretëron gjendja e jashtëzakonshme. Studentë të Universitetit të Bosforit u arrestuan për organizim të një kundër-proteste ndaj atyre që mbështesnin operacionet ushtarake turke në Siri kundër një grupimi ushtarak kurdo-sirian të njohur me inicialet YPG.
Mbështetës dhe familjarë të studentëve u mblodhën para gjykatës (të mërkurën), ndërsa vazhdonte gjykimi i tyre. Tevfik Tulay është babai i një studenti të arrestuar.
“Të gjithë jemi kundër luftës. Lufta është e gabuar. Ajo që është e ndershme tani është mbështetja e paqes. Është e lehtë të luftosh por shumë e vështirë të qëndrosh për paqe, ne po bëjmë këtë të fundit.”
Ozgur, është mamaja e një studenti tjetër që po gjykohet.
“Kemi ardhur të marrim fëmijët tanë. Ata janë të pafajshëm. Ata hodhën disa slogane dhe qendruan afër një parulle gjatë demostratës, për këto akuzohen. Duam të besojmë drejtësinë dhe erdhëm të marrim fëmijët tanë.”
Avokatët për 14 studentët që janë të ndaluar prej më shumë se 2 muajsh, thonë se disa prej tyre janë rrahur dhe abuzuar.
Arrestimet pasuan fjalimin e Presidentit Rexhep Taip Erdohan, ku ai i etiketoi studentët si terroristë pasi po protestonin operacionet ushtarake në Siri. Kohët e fundit, Erdohan ka vënë në shënjestër universitetin në mënyrë të përsëritur si qendër rebelimi, duke nxitur dyshimet se pas shtypjes fshihen qëllime politike./VOA
Fraksion.com