AktualitetEkonomiTë fundit

Tur Operatorët, pas zhvlerësimit të euros: Do të ulim fitimet, nuk jemi konkurrues me rajonin

Zhvlerësimi me shpejtësi i euros në tregun vendas po prek edhe tur operatorët shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre operojnë duke lidhur kontrata paraprakisht me agjencitë e huaja dhe kryejnë arkëtimet më vonë dhe si rrjedhojë janë gjendur përpara të ardhurave më të ulëta faktike si pasojë e rënies së monedhës së përbashkët.

Zak Topuzi, kryetar Shoqatës, tha se ky zhvlerësim i monedhës europiane do të prekë direkt fitimet e kompanive që operojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri. Për shkak të nënçmimit të euros, fitimet e tur operatorëve do të ulen deri në 10%.

Ndërkohë operatorët turistike në vend nuk kanë zgjidhje tjetër përveç se të amortizojnë humbjet nga kursi i këmbimit tek fitimet. Duke qenë se industria e turizmit nuk është konkurruese në krahasim me rajonin, ata nuk mund të luajnë me çmimet, sipas Monitor.

Nga ana tjetër leku më i fortë do t’i bëjë pushimet për të huajt më të shtrenjta. Në përgjithësi turistët e huaj vijnë me një paketë të parapaguar për sa i përket hoteleve, por shtrenjtimi do të jetë kryesisht tek ushqimet që konsumojnë.

Ky është një vit test për operatorët shqiptarë, të cilët për herë të parë po ofrojnë shërbimin full board për turistët e huaj,

Euro është nënçmuar me shpejtësi në tregun vendas dhe aktualisht po këmbehet në nivelin e 124 lekëve, më të ulëtin e dhjetë viteve të fundit. Që nga data 18 maj dhe deri në 5 qershor, kur euro vetëm ka rënë në tregun e brendshëm, monedha e përbashkët kishte humbur 3.15 lekë.

Një prej arsyeve që kanë dhënë ekspertët e këmbimit valutor në nënçmimin e euros janë flukset e turistëve. Megjithatë sipas tyre pritet që nënçmim të mëtejshëm të ketë pas përfundimit të muajit të Ramazanit, kur pritet të rritet numri i turistëve nga Kosova. Ndërkohë që operatorët presin një rënie të numrit të turisteve nga Maqedonia. Me zgjidhjen e konfliktit midis Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit, vendi fqinj pritet të rrëmbejë turistët. Sipas Zak Topuzit, distanca është e afërt dhe shërbimet janë shumë më konkurruese në shtetin fqinj.

Gjithsesi, euro pritet të rritet në afatin e shkurtër pas veendimit të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun valutor, duke blerë valutë. Guvernatori Gent Sejko tha dje në një konferencë për shtyp se “duke u nisur nga nevoja e krijimit të kushteve të duhura monetare për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve si dhe duke reflektuar mbi reduktimin e hapësirës së përdorimit të instrumentit tradicional të politikës monetare, normës bazë të interesit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ndërmarrjen e operacioneve të blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor. Këto operacione do të ndërmerren në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ.

Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve. Në këtë mënyrë, operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të”.

 

Fraksion.com