Rama: Ja se ku e rendit BB performancën e ekonomisë shqiptare në rajon
Kryeministri Rama sot së bashku me mirmëngjesin e tij ka ndarë një lajm me të gjithë ndjekësit në Facebook
Ai tregon se Banka Botërore e rendit ekonominë shqiptare me performancën më të lartë në rajon.
Statusi i z Rama:
“MIRËMËNGJES 😃
dhe me lajmin pozitiv të vlerësimeve për Shqipërinë nga Banka Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare si ekonomia me performancën më të lartë në rajon, ju uroj një ditë të mbarë “
Institucionet Ndërkombëtare, projeksione pozitive për rritjen ekonomike shqiptare gjatë vitit 2018
Ekonomia shqiptare projektohet me performancë ekonomike më të lartë se vendet e rajonit, në raportin e Bankës Botërore (BB) të qershorit 2018 për perspektivën e rritjes ekonomike botërore.
“Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike stabël 3,6% në vitin 2018 dhe 3,5% në vitet 2019-2020, duke arritur të mbajë një normë rritjeje më të lartë se sa mesatarja e rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor që është 3,2% në vitin 2018 dhe 3,5% në vitin 2019”, citon raporti i BB-së, citon raporti i BB-së.
Për sa i përket rritjes ekonomike të rajonit të Europës Lindore, ajo do të jetë 3,3% në vitin 2018, 3,6% në vitin 2019 dhe 3,5% në vitin 2020, të dhëna këto që tregojnë se performanca ekonomike e Shqipërisë do të jetë në mesataren e rajonit, ose më e lartë.
Sipas këtij raporti, rritja ekonomike në rajonin e Europës dhe Azinë Qendrore pritet të bjerë në 3,2% në vitin 2018 nga 4,0% që ishte në vitin 2017, ndërsa duke filluar nga viti 2020, rritja pritet të bjerë gradualisht në 3,0%.
Projeksionet pozitive të BB për rritjen e ekonomisë shqiptare, i bashkohen parashikimeve optimiste edhe nga institucionet e tjera ndërkombëtare.
Moody’s dhe S&P dhe Komisioni Europian, kanë dhënë vlerësime bindshëm më të larta për ecurinë e ekonomisë në Shqipëri.
Moody’s dhe S&P: Ekonomia shqiptare, sërish notë pozitive
Dy agjencitë prestigjioze të vlerësimit të riskut të kreditit të ekonomive në të gjithë botën, kanë konfirmuar vlerësimin e tyre pozitiv me parashikim të qëndrueshëm për ekonominë shqiptare, duke u bazuar në arritjet e shënuara në drejtim të konsolidimit fiskal, trajektoren rënëse të borxhit publik, progresin e reformave strukturore dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.
“Disiplina fiskale është ruajtur gjatë ciklit elektoral dhe Moody’s parashikon uljen e mëtejshme të deficitit në 2017-2018, mbështetur nga mirëmenaxhimi i shpenzimeve publike, përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave dhe reduktimi i pagesave të lidhura me energjinë në reflektim të reformës në sektor. Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet, ndërsa avancimi i procesit të integrimit do të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe konvergjencën e të ardhurave me rajonin”, – citon raporti.
Për S&P vlerësimi B+/B, reflekton progresin e qëndrueshëm të vendit në drejtim të konsolidimit fiskal, mbështetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe progresi i reformave.
KE: Pritshmëri për rritjen e ekonomisë shqiptare
Komisioni Europian ka dhënë pritshmëritë më të larta për ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Në një raport të fundit, ku analizohen ekonomitë e vendeve që aspirojnë për anëtarësim në BE, vihet re se Komisioni Europian parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare prej 3.8% këtë vit.
Në raportin e KE-së thuhet se pritshmëritë janë që qeveria të rrisë elasticitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë duke forcuar sistemin financiar dhe duke ruajtur disiplinën fiskale.
Sipas projeksioneve të komisionit Europian rezulton se ekonomia shqiptare parashikohet të ketë rritjen më të shpejtë në rajon./Atsh
Fraksion.com