Presidenti afgan shpalli armëpushimin me talibanët
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, shpalli armëpushimin me kryengritësit talibanë deri më 20 qershor, që përkon më përfundimin e muajit të agjërimit dhe kremtimet që pasojnë atë, por tha se lufta kundër grupeve tjera militante siç është Shteti Islamik, do të vazhdojë.
Ai e shpalli vendimin në një fjalim televiziv.
“Ky armëpushim është një mundësi për talibanët që të kuptojnë se fushata e tyre e dhunshme nuk po i përfiton zemrat dhe mendjet e afganëve, por po i tjetërson ato”, shkroi ai në rrjetin social twitter.
“Me shpalljen e armëpushimit, ne po e mishërojmë fuqinë e qeverisë afgane dhe vullnetin e qytetarëve për zgjidhje paqësore të konfliktit afgan”, tha ai.
Talibanët po kërkojnë të rivendosin ligjin e rreptë islamik, pas rrëzimit të tyre nga pushteti në vitin 2001 nga forcat e drejtuara nga trupat e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Ghani në muajin shkurt ofroi njohjen e talibanëve si grup të ligjshëm politik në një proces që sipas tij, mund të çonte në bisedime që do të mund t’i jepnin fund luftës më shumë se 16 vjeçare.
Gani propozoi një armëpushim dhe lirimin e të burgosurve mes një sërë mundësish, përfshirë zgjedhjet e reja që do të përfshinin militantët dhe një rishikim të kushtetutës në një marrëveshje me talibanët, për t’i dhënë fund një konflikti që vetëm gjatë vitit të kaluar, la prapa mbi 10 mijë civilë afganë të vrarë e të plagosur.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në muajin gusht të vitit të kaluar kishte shpallur një qasje më të ashpër ushtarake në Afganistan, duke përfshirë shtimin e sulmeve ajrore, për të detyruar talibanët të ulen në tryezën e negociatave nën mbikëqyrjen e misionit të udhëhequr nga NATO-ja./VOA
Fraksion.com