Golden State, gjithnjë e më pranë titullit kampion në NBA
Golden State i afrohet gjithnjë e më shumë titullit të dytë radhazi kampion në NBA. Skuadra kaliforniane fitoi ndeshjen e tretë të finales së madhe ndaj Clevelandit me rezultatin 110-102, për të thelluar kryesimin në 3-0 ndaj Cavaliers. Njeriu i sfidës për Warriors ishte Kevin Durant, me 43 pikë të shënuara.
Cleveland, që synonte të rihapte llogaritë e kësaj finaleje, e nisi më mirë ndeshjen dhe e mbylli periodën e parë me avantazhin 29-28, një avantazh që e rriti pak në periodën e dytë, duke e mbyllur pjesën e parë 58-52.
U duk se Cleveland do ta kishte të lehtë të administronte këtë avantazh dhe të vuloste fitoren, por kampionët në fuqi të NBA-së, ashtu siç kanë bërë edhe në sfidat e mëparshme, treguan se dinë të reagojnë dhe shumë shpejt e përmbysën këtë disavantazh, duke marrë përfundimisht frerët e lojës në duar.
Në këtë pikë, kalifornianët u ndihmuan edhe nga Cavaliers-at që nuk ditën t’i kundërpërgjigjeshin lojës së tyre, për ta mbyllur këtë ndeshje 110-102.
Kevin Durant, me 43 pikët e shënuara dhe 13 topat në tabelë, ishte fenomenal për skuadrën e Steve Kerr. Askush nga pjesa tjetër e skuadrës nuk mundi të kalojë 15 pikët. Stephen Curry dhe Klay Thompson u ndalën në kuotën e 10 pikëve.
Për Cleveland, si gjithnjë më i miri ishte LeBron James me 33 pikë, 10 topa në tabelë e 11 asiste, statistika këto që nuk i ndihmuan Cavaliers-at të evitonin humbjen e tretë në finalen e madhe të NBA-së. Skuadra nga Ohio do të kërkopjë të bëjë përmbysjen e madhe, por duke parë sesi kanë shkuar gjërat deri tani ndaj Golden State, duket se për të do të jetë një mision thuajse i pamundur./TCH
Fraksion.com