AktualitetNATO/BETë fundit

A ka probleme në raportet mes Gjermanisë dhe Polonisë?

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier ka vepruar si duhet – qeveritë po heshtin, ai po i bën të gjitha për të mbajtur të gjallë dialogun mes gjermanëve dhe polakëve. Kjo nuk është e lehtë.

Ka pasur kohëra – deri para disa vitesh – kur takimet gjermano-polake kanë qenë vetëm rutinë. Është biseduar, negociuar, ka pasur edhe grindje – një fqinjësi normale. Por kjo ka kaluar prej ardhjes së konservatorëve polakë në pushtet, në vitin 2015. Optimistët thonë se kjo është vetëm e përkohshme. Ndërsa pesimistët besojnë se Polonia po largohet gjithnjë e më shumë nga Gjermania. Këta të fundit do të kenë edhe disa kohë të drejtë.

Ndaj vizita e presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier në Varshavë konsiderohet shumë e rëndësishme. Ai ka gjetur fjalët e duhura, ka kujtuar të kaluarën e rëndë në raportet mes Polonisë dhe Gjermanisë. Ai ka propozuar që deri me 2019 të mbahet ceremonia përkujtimore e përbashkët me rastin e 80 vjetorit të sulmit gjerman në Poloni.

Polonia kërkon siguri

Polakët nuk mjaftohen me kaq. Besimi mes vendeve po zvogëlohet. Vlerat po shkojnë në drejtime të kundërta. Ndonëse polakët e dinë se gjermanët i kanë mbështetur në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe i duan gjermanët. Por polakët mendojnë se siguria është shumë më e rëndësishme se simpatitë: Varshava kërkon partnerë që e mbështesin.

SHBA-ja në këtë drejtim kaherë e ka tejkaluar Gjermaninë. Megjithë mosmarrëveshjet e shumta, presidenti amerikan Trump konsiderohet „best friend”. Atje ku polakët nuk mund t’u kundërvihen interesave të Gjermanisë, mendojnë se do të kenë mbështetjen e Trumpit, i cili Berlinit do t’ia thoshte qartë mendimin e vet. Për Varshavën nuk luan kurrfarë roli që Trumpi në fakt po ndjek interesat e veta.

Polakët e kanë halë në sy marrëveshjen gjermano-ruse për gazsjellësin e Veriut. Kur ish-kancelari Gerhard Schröder e mbështeti këtë projekt, shef i kabinetit të tij ka qenë presidenti i tanishëm Steinmeier. Dhe kjo me siguri që nuk e lehtëson këtë vizitë.

Varshava i kthehet Uashingtonit

Polonia është e zemëruar me Gjermaninë edhe për shkak të refuzimit për shtimin e mjeteve financiare për NATO-n. Në Poloni janë shtuar zërat që pyesin: A mund të mbështetemi tek një vend që ka avionë që nuk mund të ngrihen në qiell apo tanket e të cilit nuk lëvizin? Kush do t’i ndihmojë nëse rusët nisen drej Perëndimit, siç kanë bërë në Krime? Në Berlinin pragmatik mendohet se këto brenga janë të tepruara. Por Polonia ka frikë, ndërsa SHBA ka mirëkuptim për këtë.

Frank-Walter Steinmeier ka rikujtuar në Poloni shumë ngjarje të rëndësishme historike. Në shekullin e 18-të Rusia, Prusia dhe Austria e kanë ndarë këtë vend dhe Polonia nuk ka ekzistuar në hartën e Evropës plot 120 vite. Rindërtimi i shtetit polak është bërë mbi luftën e polakëve për ekzistencë. Ndërsa SHBA ka qenë në anën e tyre që në atë kohë. Presidenti i atëhershëm amerikan Woodrow Wilson, më 1918 ka kërkuar jo vetëm paqe për Evropën, por edhe liri për Poloninë.

“Ne” me kuptime të ndryshme

Presidenti gjerman ka folur shumë pak gjatë këtij rrugëtimi për situatën aktuale politike. Ai do të ruajë identitetin e përbashkët evropian – “ne”. Këtë e do edhe Polonia. Por njëkohësisht ajo ndjehet më mirë në grupin e Trumpit.

Kur Steinmeier flet në Varshavë për “ne”, ai mendon për Evropën, e cila po përballet me sfida. Por për Poloninë aktualisht është një sfidë më e madhe raporti me Gjermaninë. Berlini duhet ta kuptojë këtë./Rosalia Romaniec. DW

 

Fraksion.com