AktualitetRajoniTë fundit

Shtetet e Ballkanit: Bashkë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian nënvizuan sot nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në mes të shteteve të Ballkanit në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ata janë mbledhur në Prishtinë në një konferencë dyditëshe për të vënë në pah praktikat më të mira për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rrjetet sociale në Ballkanin Perëndimor.

Riccardo Serri, udhëheqës i sektorit për marrëdhënie politike, ekonomike dhe integrime evropiane në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë kërcënim i vazhdueshëm i sigurisë për Bashkimin Evropian dhe tërë Ballkanin Perëndimor.

“Komuniteti mysliman në të tri vendet e Ballkanit duhet të përqendrojë burimet në zhvillimin e një platforme të përshtatshme online dhe në rrjetet sociale si youtube, facebook ashtu që në mënyrë strategjike të luftohen argumentet që përdoren nga grupet ekstremiste për rekrutim dhe radikalizim. Pra mendoj se duhet t’i luftojmë ata edhe prej këndvështrimit të komuniteteve fetare, t’i luftojmë me mjetet e tyre”, tha zoti Serri.

Kujtim Bytyçi, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës, tha se tashmë kanë filluar të zbatohen aktivitetet e parapara me strategjinë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit, për parandalimin e përhapjes së propagandës online.

“Një rol të rëndësishëm në këtë mes e ka ministria e arsimit e cila së voni ka adoptuar një udhëzues për përdorimin e rrjeteve sociale nëpër shkolla. Natyrisht edhe ministria e kulturës së fundmi përmes disa projekteve që i ka bërë ka paraparë aktivitete të ndryshme vetëdijesuese për rininë dhe përdorimin e rrjeteve sociale”, tha zoti Bytyçi.

Agron Sojati, bashkërendues kombëtar për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri, tha se në shtetet e Ballkanit Perëndimor ekstremizmi i dhunshëm nxitet nga të njëjtit faktorë.

“Koha lëviz dhe patjetër siç e kuptojmë që integrimi nuk është thjesht një term por një domosdoshmëri, integrimi i resurseve dhe eksperiencave sot për të iu përgjigjur edhe një kërcënimi siç është ekstremizmi i dhunshëm është në fakt gjë të cilën ne e kemi kuptuar, e kemi pranuar dhe po mundohemi që në mënyrë modeste të jemi sa më prezent me njëri tjetrin dhe sa më afër”, tha zoti Sojati.

Simeon Dukiç, zëvendës bashkërendues kombëtar për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në Maqedoni tha se bashkëpunimi rajonal është shumë i nevojshëm në këtë fazë.

“Interneti dhe rrjetet sociale nuk njohin kufij politik, prandaj përfundimisht ka nevojë për t’i luftuar këto fenomene në baza rajonale qoftë përmes fushatave ndërgjegjësuese apo veprimtarive të tjera. Për këtë arsye siç tha edhe kolegu im Agroni ne tashmë kemi pasur disa diskutime mbi këtë çështje dhe kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi. Në këtë fryme unë besoj që edhe konferenca të tilla si kjo ku jemi janë shumë të rëndësishme për forcimin e këtyre përpjekjeve rajonale në luftën kudër këtij fenomeni negativ”, tha zoti Dukiç.

Mbi 900 luftëtarë nga Ballkani mund t’u jenë bashkuar nëpër vite konflikteve pas shpërthimit të luftës në Siri. Një numë ri madh i tyre janë kthyer prej andej duke hapur sfidën e radhës sipas ekspertëve të sigurisë e që ka të bënë me trajtimin e tyre dhe parandalimin e përhapjes së ideve radikale.

 

Fraksion.com