Vuçiç: NATO-ja e ka bërë të qartë që nuk mund të dërgojmë trupa në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën në Beograd se NATO-ja e ka paralajmëruar atë kundër çfarëdo përpjekjeje për të dërguar forcat serbe në Kosovë.
Ai i bëri këto komente gjatë një veprimtarie në Beograd duke komentuar spekulimet në medie por edhe deklarimet e përfaqësuesve të ndryshëm politikë në Serbi për dërgimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ai tha se disa herë është paralajmëruar për këtë çështje.
“Nëse do të provonit të hynit me ushtrinë tuaj në Kosovë, me policinë tuaj në Kosovë, në çfarëdo mënyre, NATO-ja do ta trajtojë këtë si akt armiqësor dhe do të hynit në konflikt me fuqinë më të madhe ushtarake në Kosovë”, citoi ai t’i kenë thënë zyrtarë të lartë perëndimorë. “Këtë po e them për shkak të popullit tonë”, tha ai, duke nënvizuar se dëshiron të sqarojë qytetarët e tij se “atyre nuk u intereson Rezoluta 1244 por vetëm fuqia dhe gjendja faktike.
Sipas tij, kjo e vështirëson pozitën e Serbisë e cila “duhet të përpiqet të ruajë paqen dhe sigurinë dhe të ndërtojë një jetë më të mirë dhe një ekonomi më të fortë për qytetarët e saj”.
Ai tha se bisedimet janë e vetmja zgjidhje, ndërsa kritikoi platformën e qeverisë së Kosovës për bisedimet me Serbinë.
“Kur e lexoni atë platformë, e shihni se nuk kanë lënë asnjë milimetër, as edhe një për qind hapësirë për çfarëdo marrëveshje”, tha ai, duke nënvizuar se nuk është optimist për bisedimet që pritet të mbahen në Bruksel, por Serbia, tha ai, do të bëjë gjithçka që të arrihet një kompromis.
Platforma e qeverisë së Kosovës prej tetë pikash, parasheh që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë duke respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe përkrahjen dhe garantimin e zbatimit të marrëveshjes nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova e Serbia pritet që të rifillojnë bisedimet gjatë këtij muaji, në një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Planet e Bashkimit Evropian për një takim të nivelit teknik gjatë kësja jave që do t’i hapnin rrugë një takimi të nivelit më të lartë politik, kanë ndryshuar. Beogradi kërkon që asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë tema kryesore e bisedimeve, ndërsa Prishtinë thekson se nuk do të bisedojë për asgjë nëse nuk zbatohen të gjitha marrëveshjet.
Bisedimet fillimisht teknike mes Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj. Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian.
Fraksion.com