AktualitetNATO/BETë fundit

Udhëtimi i shkurtër i Netanjahut në Evropë; Të bashkuar në mospajtim

Benjamin Netanjahu synon t’i nxisë evropianët që të tërhiqen nga marrëveshja atomike me Iranin. Angela Merkel e kundërshton. Por a është në gjendje ajo që të rezistojë në politikën e jashtme?

Ata folën më gjatë se ç’ishte planifikuar. Por vlerësimi i kundërt i marrëveshjes atomike me Iranin është po kaq i dallueshëm, sa para bisedës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu duan të ndjekin edhe më tej rrugë të ndryshme në çështjen e marrëveshjes atomike me Iranin.

Kjo në një kohë kur të dy theksuan unitet qëndrimesh në refuzimin e prerë të një pranie iraniane në Siri. “Ne e kundërshtojmë atë në mënyrën më të ashpër”, tha Merkeli për çështjen e luftëtarëve shiitë nga Irani në shtetin fqinjë me Izraelin. Dhe Netanjahu pikturoi një skenar horrori, që Irani mund ta rrisë numrin e trupave të tij në Siri nga 18.000 në 80.000, që Siria kryesisht sunite do të përfundonte në një luftë civile fetare dhe se në këtë mënyrë do të kishim lëvizje të reja refugjatësh në drejtim të Evropës.

Politikë me skenar kërcënimi

Ky vlerësim i gjendjes në Siri u mbulua më vonë nga polemika për marrëveshjen atomike me Iranin. Udhëtimi i shkurtër i Netanjahut në Evropë, me ndalesa në Berlin, Paris dhe Londër synon para së gjithash që t’i largojë evropianët nga mbështetja që ata i bëjnë marrëveshjes atomike. Por në Berlin megjithatë ra në sy, që këtë qëndrim ai nuk e justifikoi me zbulimin e madh të dokumenteve të shumta, të cilat gjoja dëshmojnë vazhdimin e punimeve nga Irani për ndërtimin e bombës atomike.

 Në vend të kësaj ai foli për vërshimin e parave, që i ka sjellë Iranit marrëveshja atomike dhe bashkëpunimi ekonomik me një sërë vendesh. Ai përmendi kërcënimin e një Irani më të fuqishëm për shtete të tjera të botës arabe. Dhe Netanjahu, nën presion në vendin e tij për akuza për korrupsion të dokumentuara mjaft mirë, tërhoqi vëmendjen për kërcënimet e reja të Iranit për ta asgjësuar Izraelin. “Irani bën thirrje për shkatërrimin tonë”, tha ai. Me armë atomike ky vend dëshiron “ta vërë në jetë këtë gjenocid”.

“Objektivi është: Irani nuk duhet të marrë kurrë armatim bërthamor”, tha Merkeli dhe theksoi pas kësaj të drejtën e ekzistencës së Izraelit, që është pjesë e “interesave shtetërore” të Gjermanisë. Por në rrugën për atje, për të penguar çdo armatim bërthamor të regjimit të Teheranit, ka dallime mendimesh.

Kancelarja në krizë

Po të dojë që ta çojë deri në fund me sukses këtë rrugë që i përmbahet sistemit të trashëguar të bisedimeve shumë serioze diplomatike dhe presionit ndërkombëtar (për të penguar kështu një shkallëzim dramatik në rajon), qeverisë gjermane i duhet një pozicion ndërkombëtar dhe partnerë të fortë. A e ka Merkeli këtë fuqi në politikën e jashtme? Në aleancën e evropianëve (të dobësuar) dhe me partnerët e shumtë ndërkombëtarë? Kancelarja gjermane ndodhet e përfshirë në krizën evropiane, asaj i duhet të përballet me mosmarrëveshjen me SHBA, ajo është figurë kyçe e Perëndimit përballë Rusisë së Putinit. Takimi i shkurtër me Netanjahun tregoi se presioni ndaj kancelares së dobësuar në politikën e jashtme po shtohet./Christoph Strack. DW

 

Fraksion.com