Prokurorët: Manafort u përpoq të ndërhynte tek dëshmitarët
Ish menaxheri i fushatës së Donald Trumpit, Paul Manafort, ka bërë disa herë përpjekje për ndëryrje tek dëshmitarët e çështjes gjyqësore që po zhvillohet ndaj tij. Ky informacion u bë i njohur dje, pasi prokurorët e çështjes, i kërkuan gjykatësit federal që të shohë mundësinë për ta futur atë në burg, ndërsa pret fillimin e gjyqit ndaj tij.
Juristët që punojnë për Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller, i dërguan gjykatës një kërkesë, ku thuhej se Manafort dhe njëri prej sekretarëve të tij kishin kontaktuar “vazhdimisht” dy prej dëshmitarëve, në përpjekje për të ndikuar tek dëshmia e tyre.
Kërkesa e djeshme përbën të dytën herë që ekipi i zotit Mueller e akuzon Manafortin për shkeljen e urdhërit të gjykatësit në këtë çështje gjyqësore.
Në fund të vitit të kaluar, agjentët federalë zbuluan që Manafort po shkruante një artikull opinionist në emër të një personi tjetër në Ukrainë, edhe pse ndaj tij kishte filluar procesi gjyqësor lidhur me akuzat kriminale për komplot për pastrim parash, deklarata të rreme dhe se vepronte si një agjent i huaj i paregjistruar në interes të Ukrainës. Ndaj Manafort-ot po ashtu janë ngritur akuza për mashtrime financiare dhe evazion fiskal në shtetin e Virxhinias. Këto akuza nuk lidhen me punën e tij si menaxher i fushatës së zotit Trump.
Fraksion.com