AktualitetEkonomiTë fundit

Ahmetaj fton sipërmarrësit të japin mendime për paketën fiskale

Ministria e Financave me një letër drejtuar sipërmarrjes në lidhje me disa ndryshime të rëndësishme në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, Ligjin për TVSH dhe Ligjin për Taksat Vendore i fton të gjithë ata për mendime dhe konsultime.

Më poshtë letra e plotë:

Të nderuar Sipërmarrës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po avancon tashmë procesin e konsultimit publik, për disa ndryshime të rëndësishme në Ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, Ligjin për TVSH dhe Ligjin për Taksat Vendore.

Këto ndryshime, të cilat do të jenë pjesë e paketës që finalizohet në qershor 2018, përfaqësojnë lehtësim të drejtpërdrejtë dhe ulje të ngarkesës fiskale për sipërmarrjet në disa sektorë kryesorë.

Kemi propozuar shkallëzimin e normës së tatimit mbi fitimin për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë për të cilat, norma e tatimit mbi fitimin ulet me tre herë, nga 15% në 5%. Me këtë masë, rreth 90% e sipërmarrjeve përfitojnë lehtësim të ngarkesës fiskale, me tatim fitimin zero ose 5%.

Sektori energjetik, me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e energjisë diellore, do të përfitojë përjashtim nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makineri dhe pajisje. Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor do të trajtohen në dy mënyra, në referencë të lehtësimit të barrës fiskale.

Së pari, në transaksion me grumbulluesit do të përfitojnë rimbursimin e TVSH në masën 20% dhe së dyti, do të trajtohen me tatim fitimin e reduktuar nga 15% në 5%.

Sipërmarrjet e licensuara në sektorin e agroturizmit, do të përfitojnë gjithashtu mbështetje përmes tre korrektimeve të rëndësishme fiskale, uljen e tatim fitimit nga 15% në 5%; normë të reduktuar të TVSH prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera që afrohen nga subjekti i licensuar agroturistik dhe përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja me qëllim agroturizmin.
Ajo që është më e rëndësishme dhe që dëshiroj të ndaj sot me ju, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po fillon në të njëjtën kohë konsultimin publik me të gjithë aktorët dhe faktorët për Paketën Fiskale 2019.

 

Fraksion.com