AktualitetRajoniTë fundit

Slloveni: Vështirësi për formimin e koalicionit qeverisës

Në Sloveni Partia Demokratike (SDS) me prirje kundër emigrantëve, ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare, duke reflektuar rigjallërimin e së djathtës ekstreme në shtetet e tjera të Evropës lindore. Nisur nga qëndrimet e saj të një linje të ashpër mbi këtë çështje, kjo force politike pritet ta ketë të vështirë të formojë një koalicion qeverisës.Nëse SDS-ja nuk ia del të formojë një koalicion, shansi për të formuar qeverinë do t’i jepet partisë që doli e dyta në garën zgjedhore, asaj të qendrës së majtë LMS.

Rezultatet e shpallura të dielën vonë në mbrëmje shpallën fituese të zgjedhjeve të përgjithshme partinë e qëndrës së djathtë, që i bashkohet një vale që ka përfshirë disa vende anëtarë të BE-së, si Hungaria dhe Polonia, të cilat kundërshtojnë planet e BE-së për një sistem kuotash për azil-kërkuesit.

Banorët e Lubjanës thonë se e kanë të vështirë të mendojnë se si mund të krijohet një koalicion i qëndrueshëm qeverisës kur zgjedhjet prodhuan një spektër të fragmentatizuar parlamentar. Disa madje thonë se e shohin si mision “të pamundur”.

Gazeta ekonomike “Financa” doli sot me kryeartikullin “kushdo që kërkon të qeverisë, së pari duhet të dijë të numërojë”, duke iu referuar të nënta partive që fituan vende në parlamentin slloven prej 90 anëtarësh.

Një banor i Lubjanës, i cili preferoi të indetifikohet vetëm me emrin, tha se kishte pritur diçka më të qëndrueshme.

“Prisja diçka më të qëndrueshme! Nëntë parti në parlament mendoj se janë shumë. Partitë e vogla … nuk na çojnë askund”, thotë Martini, një banor i Lubjanës.

Një tjetër banore, tha se pret që Partia Demokratike e Sllovenisë e cila fitoi numrin më të madh të votave, të hasë vështirësi për krijimin e një qeverie. Sipas saj partia që doli e dyta në garën zgjedhore ajo e Marjan Sarec-it ka shanse më të mira.

“Mendoj se Marjan Sarec mund ta formojë qeverinë. Partia Demokratike e Sllovenisë do ta ketë të vështirë krijimin e një koalicioni. Por mbetet për t’u parë. Politika është arti i së pamundurës”.

Partia Demokratike slovene SDS fitoi shumicën e vendeve në parlament gjithësej 25 dhe ka nevojë për mbështetjen e së paku dy partive të tjera.

Nën drejtimin e ish-kryeministrit slloven Janez Jansa dhe mbështetur nga kryeministri nacionalist i Hungarisë Viktor Orban, kjo parti kundërshton ashpër planet e BE-së për të vendosur kuota për strehimin e azilkërkuesve në vendet anëtare. Sllovenia ndodhet në korridorin rrugor ballkanik i cili është përdorur nga shumë emigrantë të cilët i janë larguar varfërisë dhe luftës në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Këtë vit, numri i emigrantëve që kanë kaluar nëpërmjet Sllovenisë drejt vendeve të tjera evropiane është rritur.

Partia e qendrës së majtë LMS u radhit e dyta me 12.6 për qind të votave ose 13 vende në parlament. Udhëheqësi i saj Marjan Sarec tha se pret t’i jepet një mundësi për të formuar qeverinë, në kushtet kur siç tha, shumica e partive e kishin bërë të ditur përpara zgjedhjeve, se kishin pak gjasa të bashkëpunonin me SDS-në.

Presidenti slloven Borut Pahor ka bërë të ditur se pas zgjedhjeve ka në plan t’i japë shansin e parë për të formuar një qeveri, partisë që fiton shumicën e vendeve në parlament. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 51.5 për qind krahasuar me 51.7 përqind katër vjet më parë.

 

Fraksion.com