Kabul: Sulm me bombë ndaj këshillit të lartë për paqen
Të paktën shtatë persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën nga një sulm vetëvrasës me bombë në Kabul, pranë vendit ku po zhvillohej një takim i udhëheqësve të lartë fetarë dhe akademikë të Afganistanit. Këshilli sapo kishte miratuar një dekret fetar që i shpall sulmet vetëvrasëse në kundërshtim me ligjin islamik.
Sulmi me bombë ndodhi sapo kishte përfunduar takimi dhe 2 mijë anëtarët e Këshillit Ulema të Afganistanit po dilnin nga tenda ku ishin mbledhur. Anëtarët e këtij këshilli të lartë për paqen caktohen nga qeveria afgane.
“Kishte shumë klerikë të mbledhur brenda tendës së Loya Jirgas dhe bomba shpërtheu ndërsa ata po shpërndaheshin. Pati shumë të plagosur”, tregon Ahmad Paiman, dëshmitar okular.
Këshilli sapo kishte miratuar një dekret fetar që i ndalonte sulmet vetëvrasëse në bazë të ligjit islamik.
Këshilli i bëri thirrje gjithashtu qeverisë afgane dhe talebanëve të bien dakort për një armëpushim dhe të fillojnë negociatat për një marrëveshje paqeje.
Në muajin shkurt, Presidenti afgan Ashraf Ghani u ofroi talebanëve mundësinë e bisedimeve për paqe pa kushte.
Nuk pati pretendime për autorësinë e këtij sulmi me bombë. Si talebanët, ashtu edhe pasuesit e Shtetit Islamik, njihen për kryerjen e sulmeve të tilla në Kabul.
Fraksion.com